Kryeministri spanjoll njoftoi sot vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në fillim të muajit maj, që do të shoqërohet me një shtetrrethim në të gjithë vendin, me përjashtim të ishujve Kanarie, në përpjekje për të frenuar valën e dytë të COVID-19.
“Situata që po kalojmë është ekstreme”, deklaroi Pedro Sanchez në një fjalim televiziv në përfundim të një Këshilli Ministrash të jashtëzakonshëm.
Spanja kaloi këtë javë pragun e një milionë rasteve me COVID-19 dhe është përballur me një rritje të pakontrollueshme të pandemisë.
Sanchez kishte përgatitur terrenin duke u shprehur se situata është shumë e rëndë dhe se javët dhe muajt e ardhshëm do të ishin shumë të vështirë dhe se ishte i gatshëm për të miratuar të gjitha masat e nevojshme për të frenuar epideminë.
Dy ditë më parë, Spanja u bë vendi i parë i Bashkimi Europian dhe i gjashti në botë që kaloi një milionë rastet me COVID-19.
Kryeministri spanjoll theksoi disa ditë më parë se numri real i personave të infektuar nga koronavirusi në Spanjë ishte më i lartë se tre milionë, ndërkohë që numri i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 35 000 që prej fillimit të pandemisë.