Vendet europiane po nisin gradualisht të lejojnë hyrjen për qëllime turistike edhe shtetasit nga Shqipëria dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Spanja është vendi i parë i Bashkimit Europian, që ka hapur dyert për turistët nga vendi ynë që prej datës 7 Qershor. Hyrja u lejohet të gjithë personave të cilët kanë plotësuar afatin 14 ditor pas injektimit të dozës së dytë të vaksinave anti-COVID.
Spanja është deri më tani i vetmi vend evropian që lejon hyrjen e të vaksinuarve edhe me dozat e kinezes Sinovac që përdoret për vaksinimin masiv në Shqipëri. Siç thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e Facebook-ut të ambasadës spanjolle në Tiranë, pranohen si vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca e Johnson & Johnson të lejuara nga Agjencia Evropiane e Barnave, por edhe ato të rekomanduara nga OBSH, ku përfshihet edhe Sinovac.
Brenda kësaj jave pritet hapja nga Hungaria e kufirit për turistët shqiptarë të vaksinuar, pas marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave të vaksinimit mes kryeministrave Rama e Orban.
Sakaq, Parlamenti Europian miratoi me 546 vota, certifikatën e gjelbër të vaksinimit që hyn në fuqi më 1 Korrik. Certifikata dixhitale ose e printuar konfirmon nëse një person që lëviz brenda kufijve evropianë është i vaksinuar, ose është shëruar apo ka një test negativ të 72-orëve të fundit për COVID-19-ën para udhëtimit.