Qytetarët spanjollë, të udhëhequr nga partia e ekstremit të djathtë “Vox”, me flamuj spanjollë në duar dhe me bori makinash, protestuan ditën e sotme kundër masave kufizuese të ndërmarrë nga qeveria Sanchez.
Spanja, e cila ka pasur një nga sistemet më izoluese në Evropë, ka filluar të lehtësojë kufizimet, por Madridi dhe Barcelona do të jenë të mbyllura totalisht deri ditën e hënë.
Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit Pedro Sanchez dhe zv/kryeministrit Pablo Iglesias të heqin dorë nga mënyra sesi po e trajtojnë krizën e shkaktuar nga coronavirusi, dhe, veçanërisht, bllokimet dhe dëmet e shkaktuara ndaj ekonomisë.
Me anë të një deklarate në Twitter, partia e ekstremit të djathtë, Vox, u bëri thirrje qytetarëve që t’i japin fund asaj që ata quajnë abuzim, dhe se është momenti i duhur për të bërë një protestë të madhe kundër papunësisë dhe mjerimit që ka shkaktuar qeveria.
Protestat kundër bllokimit filluan në lagjen e pasur të Madridit, Salamanca, javën e kaluar, ku njerëzit filluan të përplasin enët qe mbanin ne duar.
Por manifestimi i sotëm shënoi protestën e parë të organizuar kundër qeverisë që nga fillimi i pandemisë.
Vox u bëri thirrje njerëzve të protestojnë në çdo qytet dhe procesione të ngjashme u zhvilluan në Seville dhe Barcelona.