Spanjollët rifitojnë lirinë pas 7 javësh izolim të plotë, ndërsa autoritetet lehtësuan masat e kufizimit.
Rrugët e Spanjës u mbushën sërish nga qytetarë që ecnin, vraponin dhe lëviznin me biçikleta të shtunën, kur hyri në fuqi vendimi për të lejuar të rriturit të kryejnë aktivitet fizik.
“Ndjehem e lumtur, e lirë. Është e domosdoshme për shëndetin mendor dhe fizik të bësh sport”, shprehet një qytetare.
Megjithatë, aktiviteti sportiv do të zhvillohet në afate të caktuara për kategori të ndryshme, për të shmangur grumbullime njerëzish. Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të mos largohen shumë nga banesa. Zbutja e masave nisi një javë më parë, kur qeveria Sanchez lejoi për herë të parë në 6 javë, daljen e fëmijëve në ajër të pastër, për një orë në ditë.
Spanja është një ndër vendet e goditura më rëndë nga pandemia, me më shumë se 213 mijë raste dhe 24 mijë e 500 viktima, e që prej marsit jeton nën një regjim të rreptë kufizimesh. Qytetarët lejoheshin të dilnin nga shtëpia vetëm për të blerë ushqime dhe ilaçe, apo për të shkuar në punë nëse puna nga shtëpia nuk ishte e mundur. Por kriza është përmirësuar ndjeshëm, me shifrat që vijojnë të bien. Prej disa ditësh raportohen më pak se 300 viktima në 24 orë.