Gjykata Speciale i mohon ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të drejtën për të marrë pjesë në varrimin e babait.
Richard Grenell, i dërguar Special i presidentit amerikan Donald Trump për Misione të Posaçme, ka shpërndarë postimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilin ai kritikon ashpër Gjykatën Speciale për refuzimin e kërkesës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij të ndjerë.
Në postimin e Ramës, të cilin pastaj e shpërndau Grenelli, kryeministri shqiptar shkroi: “Një veprim i ulët nga një gjykatë e turpshme dhe e paturpshme që drejtësinë ndërkombëtare e ka kthyer në shaka, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangët më brutalë!”.
Grenell, i cili ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka shprehur vazhdimisht kritika ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si institucion me prirje politike që ka penguar paqen në Ballkanin Perëndimor.
Grenell kërkoi së fundmi që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të nisë një proces hetimor ndaj ish-zyrtarit të lartë të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Sëartz, i cili, sipas tij, ka luajtur një rol kyç në procesin që çoi në ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës kundër ish-presidentit Thaçi, në kohën e negociatave të paqes.
Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-liderit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbahet më 18 mars, në fshatin Burojë të Skenderajt.