Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij,
Përmes një postimi në platformën ‘X’, Rama e cilëson Specialen si një gjykatë të turpshme që po u mohon edhe të drejtat më demokratike të akuzuarve.
“Një veprim i ulët nga një gjykatë e turpshme dhe e paturpshme që drejtësinë ndërkombëtare e ka kthyer në shaka, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangët më brutalë!”, thotë Rama.
A new low from a shameful and shameless tribunal that has turned international justice into a charade, democratic rights into empty words, and the goodwill of the Kosovo Parliament into the most brutal of boomerangs! pic.twitter.com/yfzQt2Vw9t
— Edi Rama (@ediramaal) March 17, 2025
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) përmes një postimi në Facebook, ka shprehur indinjatë e revoltë ndaj këtij vendimi.
OVL-UÇK e cilëson këtë vendim kundër Thaçit si të padrejtë dhe çnjerëzor, i cili bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtarëve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Takimi i 13 marsit në ambientet e QKUK-së në Prishtinë, ku për tre orë qëndruan në praninë e njëri-tjetrit, do të jetë i fundit për Hashim Thaçin, me babanë e tij të ndjerë, Haxhi Thaçi.
Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-drejtuesit politik të UÇK-së, i cili është duke u gjykuar për krime të pretenduara të luftës, do të mbahet më 18 mars, në fshatin Burojë të Skenderajt.
Për ndarjen e tij nga jeta kanë shprehur ngushëllime figura politike dhe personalitete të rëndësishme të jetës publike në vend.