Opinione Spektakël…

Spektakël…

Nga Lutfi Dervishi

1.

Nëse shihni parashikimin e motit në një televizion perëndimor apo edhe lindor dhe bëni krahasimin me parashikimin e motit të disa televizioneve këtu, duket se po flitet për dy tema krejt të ndryshme. Këtu në prezantimin e motit mbizotëron jo informacioni për çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë, këtu mbizotëron spektakli!

Më shumë se informacioni për motin, që të ndash mendjen se çfarë veshje të duhet për ditën, që të marrësh apo jo çadër me vete, dhënia e motit këtu i ngjan një mini pasarelë, ku një fëmijë, (po të ishim anëtar të BE-së do të dënoheshim për shkelje të direktivës europiane për punësimin e të miturve), flet për presionin atmosferik në të cilën ndodhet në vendi ynë, rajoni dhe më gjerë.

Nëse sheh motin në çfarëdo televizioni perëndimor, gjëja e parë që të bie në mendje është mosha e prezantuesit, pastaj veshja serioze që nuk ka shans të shpërqëndrojë dhe në fund, por jo nga rëndësia është gjuha e thjeshtë dhe e qartë për motin sot dhe parashikimin për nesër.

Nuk dihet me siguri se kush ka patur idenë gjeniale që moti këtu duhet të kthehet në një spektakël në fund të të cilit gjëja e parë që të shkon në mendje është të marrësh celularin dhe të shikosh vetë nëse kur të dalësh jashtë do të presin “vranësira të ç’rregullta” apo mot me kthjellime!

2.

Nëse shihni një emision sportiv në një televizion perëndimor dhe bëni krahasimin me emisionet sportive të shumicës së ekraneve këtu, ndryshimi është më i madh se mes ditës dhe natës. Këtu ekspertët janë në minorancë dhe ata që nuk kuptojnë asgjë janë shumicë, këtu nuk flitet për lojën, për skemat, për gabimet dhe sukseset, por për shijet dhe mendimet e të ftuarve. Këtu mbizotëron spektakli.

Nuk e kam kuptuar kurrë pse duhen tallur disa vajza publikisht, duke i përdorur si dekor apo ku e di unë se çfarë..,, ndërkohë që nëse vërtet kanë pasion gazetarinë sportive u duhet dhënë kohë të “piqen”, të mësojnë, të ushtrohen, të zgjedhin modelet më të mira jashtë dhe të sprovohen duke dëshmuar seriozitet dhe kompetencë. Sporti në Shqipëri e veçanërisht futbolli nuk është thjesht lojë, është një fe. Ka qindra mijëra ndjekës. Gazetaria sportive është nga zhanret më të preferuara të gazetarisë se rrallë qëllon që të raportohet gabim. Nëse ndeshja ka mbaruar 2-0, të gjithë gazetarët dhe komentatorët bien në një mendje dhe nuk ka debat rreth këtij fakti dhe nuk ke nevojë të bësh fact- checking për të provuar se ndeshja ka përfunduar 2-0! Por nëse sheh një emision sportiv në një vend tjetër- kudo qoftë ai, ata nuk vendosin “fëmijë” në program për të thënë: “publicitet” apo “po ti çfarë mendon?”, drejtueset sportive atje të japin ujë në bisht të lugës, njohin lojën, njohin lojtarët dhe dinë se për çfarë flasin e dinë si dhe për çfarë të pyesin. Ndoshta nuk janë shumë të “bukura”, ndoshta nuk kanë shpenzuar shumë për silikon, por bukuria e tyre shfaqet në mençurinë dhe mënyrën se si i trajtojnë të ftuarit apo të intervistuarit. As më shumë as më pak ky është respekt për publikun.

3.

Nëse sheh një program politik në një televizion tjetër dhe bën krahasimin me shumicën e programeve këtu, duhet të kesh tri duar: një për t’i rënë ballit, një për të mbajtur mjekrën dhe një të tretë për të ndryshuar kanalin. Atje diskutohet për problemin/temën/idetë, zgjidhjen dhe përgjegjësitë. Këtu është kultura e kacafytjes dhe pyetja më e fortë është: e di ti kush jam unë?! E ke parasysh ti se me kë po flet?! Këtu mbizotëron spektakli.

Në fund të një emisioni të mirë politik duhet të kesh një ide a mendim se për çfarë ikën dy orë. çfarë problemi u evidentua? çfarë zgjidhje u propozua? Cilat janë qëndrimet e ndryshme ndaj problemit? A bënë gazetarët apo drejtuesi i emisionit pyetje sfiduese? A folën sa duhet ekspertët? A u bë diskutimi nisur nga interesi publik? A u shkel etika në komunikim? A u bë fact checking në kohë reale?! Por jo. Këtu nuk diskutohet për çështjen, por për biografinë, historinë, madje edhe “arkeologjinë” e palës “përballë”. Bisedat politike të përnatshme nga e hëna në të hënë, në “prime time” (koha kryesore) nuk i ka askush. është mënyra më e “mirë” dhe më e lirë për të mbushur kohën televizive dhe meqenëse pesë më shumë e pesë më pak të gjithë këndojnë të njëjtën këngë mënyra e vetme për të tërhequr sytë e publikut është zhurma. Shumica e debateve kanë një formulë fort të thjeshtë: ftojmë një apo dy këtej, dhe një apo dy në krahun tjetër, marrim edhe nja dy në skype, lëshojmë disa pyetje, bëjmë çmos të kacafyten dhe e fituam davanë edhe sonte! Papërgjegjshmëria dhe qëllimi për të patur audiencë me çdo mjet ka çuar edhe në një rrugë origjinale: fto në ekran tipa të “lezetshëm”, njerëz që flasin pa doganë dhe që të garantojnë një skandal dhe shikuesit janë të garantuar. Ish kryeministri Shqipërisë A. Meksi për këto tipa me kohë i ka vënë “etiketën”, “dinshumët”.

Po gjetkë si ndodh?!

Së pari këto emisione nuk i gjen në “prime time’, së dyti nuk janë emisione maratonë, së treti, janë emisone me strukturë dhe është e qartë edhe në fillim edhe në fund se për çfarë po diskutohet dhe së katërti: cilësia e të ftuarve dhe e moderatorit është e padiskutueshme. Për fjalë të thëna pa vend, kur mendonte se nuk ishte në transmetim, një gazetare ditët e fundit në Spanjë u pushua nga puna. Këtu shpesh gara bëhet se kush do të flasë broçkulla më shumë. Dhe rrezikon të ikë nga puna ai/ajo që thotë ndonjë gjë me mend!

4.

Nëse sheh një seancë Parlamenti gjetkë dhe bën krahasimin me seancën e Parlamentit këtu, dallimi është i qartë edhe për vetë aktorët e këtushëm që dhurojnë spektakël! Parlamentet nuk janë imunë ndaj tensionit, debatit dhe tek -tuk edhe konfrontimit fizik. është më mirë të “kacafyten” në sallën e Parlamentit përfaqësuesit e popullit sesa të tensioni të zbresë në salla e sheshe tek njerëzit. Kjo aksiomë është stërprovuar në Shqipëri. Por Parlamenti ynë dallon thelbësisht në individët e spikatuar që ofron. Veçanërisht Parlamenti i shkuar i mbushur me listën fundore të opozitës do të mbahet mend për spektaklin që dhuroi me larminë e karaktereve të denja për estradat e dikurshme të ushtarit.

Parlamenti është baza e pushtetit, është institucioni që kontrollon qeverinë dhe prej të cilit burojnë institucionet e pavarura. është vendi ku qeveria jep llogari. është vendi ku pakica ka pothuaj po aq të drejta sa edhe shumica. është vendi ku bëhet kuvendi. Spektakli politik ka plot vende të tjera për t’u zhvilluar. Parlamenti gjykohet nga sasia dhe cilësia e ligjeve që miraton, nga cilësia e interpelancave dhe rezultatet e komisioneve hetimore, por edhe nga të të qenit në sintoni me shqetësimet e vendit.

5

Nëse ka një ngjarje të rëndë “atje” dhe e krahason me ngjarjen e rëndë këtu; atje mungon ajo që këtu është me tepri: spektakli. Ajo që quhet etikë në raportim, vetëpërmbajtja për raportimin e kronikës së zezë, empatia për familjarët në zi, dhe ndjeshmëria për efektin që mund të ketë në komunitet lajmi, jo vetëm që neglizhohet, por shkelet vrazhdë me të dy këmbët. Dhe nuk është fjala vetëm për rrjetet sociale dhe portalet, por edhe për median tradicionale. Ka plot ngjarje të rënda që ndodhin “gjetkë”, por nuk ka ngut për të publikuar identitetet e plota të njerëzve të dyshuar apo të përfshirë në krim, nuk publikohen foto të të dyshuarve apo viktimave dhe tregohet kujdes në përshkrimin e ngjarjes duke mënjanuar detaje të panevojshme! Ne kemi në qendër të vëmendjes në raportim kuriozitetin e sëmurë dhe tek tuk edhe pervers dhe jo rrallë ngatërrojmë ngjarjet me “interes publik” me ato “interesante për publikun”.

Rendja për shikueshve dhe përdorueseve ka sjellë në bjerrjen e cilësisë së produktit mediatik. Sa kohë që “pëlqehet”, apo “shikohet shumë” aq më shumë shkohet drejt banalitetit dhe mediokritetit. Ngjarjet e rënda për vetë natyrën e tyre e kanë të garantuar interesin publik – ajo çka lipset është profesionalizimi dhe etika. Shembuj të mirë ka kudo. Mund të merren mësime të vlefshme nga vende me demokraci të konsoliduar dhe traditë në shtypin e lirë. Sikundër mund të vijohet me spektaklin e “kronikës së zezë” ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe titujt e mëdhenj dhe alarmues të një dite zhduken sikur të mos kenë ekzistuar kurrë ditën pas ardhëse.

Meqë jemi te rendi. E mbani mend spektaklin që shoqëroi nisjen, por jo bitisjen e OFL (Operacioni Forca e Ligjit). Rezultati? Një apo dy makina të sekuestruara nga bota e krimit, por nëse askush nuk di të thotë se cili ishte rezultati dhe kosto e këtij operacioni, gjithkush mban mend spektaklin e dhuruar në ekranin e madh të TV dhe ekranet e vogla të celularëve.

6.

Nëse sheh një spektakël atje dhe bën krahasimin me spektaklet këtu- dallimi është tek dita dhe ora e transmetimit që vendosen në shërbim të publikut. Si rregull i gjen në fundjavë dhe në orare të përshtatshme për publikun. Këtu spektaklet mezi gjejnë vend gjatë ditëve të javës sepse gjithçka është kthyer në spektakël

Në një vend ku çdo gjë është spektakël, nuk ka vend për spektaklin!

*Botuar në numrin e 14 të revistës Medius!