Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka është përjashtuar nga seanca plenare, pas një përplasjeje verbale me Petro Koçin.
Jashtë Kuvendit, ai deklaroi se ‘panorama e sotme’ në Kuvend do jetë e njëjtë në vijim. Ai theksoi se të Hënën do ketë një protestë madhështore.
“Edi Rama duke sulmuar opozitën prej 3 vjetësh i ka vënë flakën demokracisë në Shqipëri, për interesa të xhepit të tij dhe oborrtarëve të tij. Ndaj ne jemi këtu për të kryer misionin tonë. Kemi 3 vjet që Rama na ka hapur luftë, tentoi të na likujdojë si forcë politike, ka burgosur Belerin, Berishën dhe tani Salianjin. Ai kërcënon me burg këdo që denoncon, i nxjerr të palarat e vjedhjeve dhe lidhjeve me krimin e organizuar. Ne jemi të vendosur të mos ndalojmë. Ta harrojë Edi Rama që mund të bllokojë dhe intimidojë opozitën. Është përballë me aksionin, të Hënën do jetë në ballë të regjimit. Çdo të hënë dhe çdo të enjte do keni këtë panoramë. Nuk ka kompromis me regjimin”, deklaroi Noka.
Reagimi i PD-së erdhi pas dënimit të Ervin Salianjit.
Kryetarja e Kuvendit njoftoi sot vakancën e mandatit të tij dhe tha se nuk kishte arsye që Këshilli i Mandateve të mblidhej pasi Salianji është dënuar me vendim të formës së prerë.
Ndërkohë Partia Demokratike ka paralajmëruar për këtë çështje një protestë më 7 Tetor.