Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e cilësoi absurde ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike.
Në fjalën e saj në Kuvend, në përgjigje të interpelancës së kërkuar nga deputeti demokrat Agron Shehaj për kryeministrin Rama, ajo tha se PD po cenon reputacionin e subjekteve investuese.
“Ju zoti Shehaj që keni njohur biznesin dhe suksesin në biznes, po dëshmoni moskuptim ose në rastin e kërkesës absurde për ngritjen e një gjyqi popullor në formën e komisionit hetimor për investimet strategjike, po cenoni reputacionin e subjekteve investuese”.
Sipas saj “statusi i investitorit strategjik nuk është dhuratë, apo favor por e drejtë ligjore që u jepet investitorëve që e plotësojnë kriteret ligjore qofshin vendas, apo të huaj”.
Këtyre deklaratave opozita iu përgjigj me përplasje duarsh mbi tavolinë, në shenjë reagimi ndaj favorizimeve që sipas saj, qeveria ka bërë ndaj familjarëve të ministres Olta Xhaçka duke u dhënë në përdorim brigjet e detit.