Brenda pranverës së ardhshme, lagjja e re e Spitallës ku do të ndërtohen rreth 1000 apartamente do të jetë gati për banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Premtimin e dha kryeministri Edi Rama, teksa inspektoi punimet që kanë nisur për infrastrukturën me 12 akse të kësaj zone.
“Brenda Pranverës së ardhshme do të jetë realitet dhe jo me një kantier ne progres”, premtoi Rama.
Banorët i garantoi se apartamentet e reja do t’i kenë në të njëjtën kubaturë si shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.
“Ata që do marrin apartamente këtu do vazhdojnë të qëndrojnë me qira, dhe ata që do të hyjnë duke lënë gjënë e tyre do të marrin 100% të kubaturës që kanë dhe e treta kush do vijë në këtë lagje do i bëjë një dhuratë shumë të madhe fëmijëve të vetë”.
Me investimin afro 2 miliardë Euro, kryeministri tha se Durrësi do të hyjë në këtë dekadë në hartën e Mesdheut ndër vendet më të preferuara, ndaj dhe për punët e nisura kërkoi edhe votën e qytetarëve për një mandat të tretë qeverisës.
“Kjo nënkupton pse mandati është i rëndësishëm, se janë punë të nisura për së mbari që s’mund t’i çojë deri në fund askush veç nesh”.