Dikush kaloi kufirin midis dy Koreve, duke u nisur drejt Veriut, duke befasuar sistemin mbrojtës të Koresë së Jugut të Zonës së Çmilitarizuar (DMZ), e cila për 70 vjet, është përcaktuar si zona me përqendrimin më të lartë të ushtarëve, armëve, kurtheve kundër personelit dhe minave në gjithë botën.
Komanda ushtarake e Seulit, raportoi se një individ i paidentifikuar u kap nga kamerat e vëzhgimit që mbulonin të gjithë zonën në orën 18:40 më 1 janar, ndërsa po ngjitej mbi një pengesë aksesi në DMZ në provincën Gangwon, në lindje të territorit të Koresë së Jugut. Një njësi speciale komandosh u mobilizua menjëherë për kërkime, por pa rezultat.
Në orën 21.20 kishte kontakt me sy, por i arratisuri gjithsesi arriti të fshihej në shkurre; në orën 22.40 sensorët elektronikë zbuluan se dikush po kalonte vijën e Demarkacionit Ushtarak, vija që ndan Zonën e Çmilitarizuar në dysh, me gjerësi 4 kilometra. Në fakt, kushdo që ishte fshehur, kishte hyrë në zonën e Koresë së Veriut.
Seuli e mbyll raportin duke thënë se informoi ushtrinë koreano-veriore, “për të mbrojtur individin”, domethënë për të mos lejuar që rojet kufitare në anën tjetër të paraleles së 38-të të qëllojnë pa paralajmërim.
Por kush mund të kishte qenë aq i dëshpëruar apo aq i çmendur sa të kërkonte strehim në tokën e sunduar nga Kim Jong-un?
Që nga viti 1953, kur Lufta Koreane përfundoi me një armëpushim në paralelin e 38-të, rreth 33.000 koreano-veriorë kanë ikur nga regjimi shtypës dhe brutal dhe kushtet mizore të jetesës: më 1 janar, duke folur në Plenumin e Partisë së Punëtorëve, Kim tha se popullsia koreano-veriore “po përballet me një luftë për jetë a vdekje” për një tjetër krizë ushqimore.
Janë koreano-veriorët ata që “normalisht” përpiqen të arratisen nga vendi i tyre, dhe këtë e bëjnë duke u përpjekur të kalojnë kufirin me Kinën dhe më pas përballen me një udhëtim të gjatë dredharak që i çon në Seul.
Rruga e kundërt në teori, mund të joshë vetëm një agjent sekret të Phenianit që të kthehet nga një mision spiunimi ose zbulimi; ose një dezertor nga Veriu i zhgënjyer nga përvoja në Jug; ose dikush që ende mashtron veten se Koreja e Veriut është “parajsa e punëtorëve në tokë” (por kjo propagandë e vjetër stalinist tani është braktisur edhe nga propaganda e Kim).
E vetmja siguri, është se kushdo që ka qenë, duhet të ketë pasur një motivim shumë të fortë dhe shumë guxim për të tentuar të hyjë ilegalisht në territorin e Republikës Popullore Demokratike të Koresë (emri zyrtar i regjimit të Phenianit).
I fundit që kishte tentuar, ndoshta, në shtator 2020 i kishte shpëtuar survejimit të Koresë së Jugut, por jo nga Veriu: rojet kufitare e kishin identifikuar, e kishin ndjekur, e kishin qëlluar pa paralajmërim dhe e kishin mbyllur çështjen duke i vënë zjarrin trupit të pajetë.
Ai episod nuk u sqarua kurrë mirë: sipas versionit të Seulit, viktima ishte një zyrtar ministror që donte të dezertonte, por familja e hodhi poshtë hipotezën, duke imagjinuar se pas tij kishte një operacion inteligjence që përfundoi keq.
Ajo kufomë e djegur, krijoi një valë indinjate; Kim Jong-un vendosi t’i shkruante një letër personale presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in: “Një rast i papritur dhe fatkeq”. Trupi u dogj nga frika e koronavirusit, tha Kim. Por ai nuk shpjegoi pse civili ishte ekzekutuar në vend.