Dy rusët dhe ukrainasin e kapur në uzinën ushtarake në Gramsh, Kryeministri Edi Rama i konsideron si spiunë të dyshuar. Por për të shqetësim nuk është uzina ushtarake, të cilën e konsideron “mbetje arkeologjike të komunizmit”.
Sipas Kryeministrit, shqetësimi real është cili është qëllimi i të arrestuarve dhe çfarë fshihet pas kësaj ngjarje.
“Mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturën objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012. Faktikisht kanë statusin e shpk që janë absolutisht të falimentuara. Të thuash që po bëhej spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake.
Ndërkohë që ajo që duhet t’ju shqetësonte dhe që na shqetëson ne është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë sepse një mision spiunazhi që shfaqte me një veturë sportive e cila duket sikur thërret aman hajdeni dhe më shikoni është pak si qesharake. Kështu që i takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë. Nuk ka lidhje kjo me objekte. Por çfarë fshihet pas kësaj, kjo është pyetja”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Këto deklarata Kryeministri Edi Rama i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Luksemburgut.