Bota Stafi i Biden: Deklaratat e Trump, skandaloze. Të gatshëm të përballemi në...

Stafi i Biden: Deklaratat e Trump, skandaloze. Të gatshëm të përballemi në Gjykatën e Lartë

Skandaloze dhe të paprecedenta i ka konsideruar stafi i kandidatit Joe Biden deklaratat e presidentit Donald Trump i cili shpalli fitoren në zgjedhje dhe paralajmëroi se do të shkojë në Gjykatën e Lartë për të kërkuar ndalimin e numërimit të votave në disa shtete.

“Është skandaloze sepse mund të konsiderohet një përpjekje për t’iu hequr qytetarëve amerikane të drejtat e tyre demokratike. Është skandaloze sepse asnjë president në historinë e SHBA nuk ka tentuar të ndalojë zërin e amerikanëve në zgjedhjet kombëtare”, shkruhet në deklaratën e stafit të Biden.

Megjithatë, stafi i Biden deklaroi se trupa e juristëve është gati të përballet me Trump, nëse ai dërgon në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndërprerjen e numërimit të votave.

Nëse ndodhë një gjë e tillë “ne i kemi ekipet ligjore të gatshme për t’i rezistuar kësaj përpjekjeje”. tha menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O’Malley Dillon.

Trump: Është mashtrim, do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë

Presidenti Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces.

Ai tha se “një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t’u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë.”

Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues.

“Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë”, tha Presidenti Trump.

“Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi. Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë.”