Nga Alexander Horne – Spectator.co.uk
Një nga gjërat e para që bëri Keir Starmer kur hyri në Downing Street në korrik ishte braktisja e partneritetit të qeverisë së mëparshme për kampet në Ruandë. Kryeministri tha se skema ku u mbështet Rishi Sunak ishte një mashtrim i kushtueshëm. Por tani duket se kryeministri britanik po shqyrton një skemë të tijën të përpunimit të azilit, e cila mund të çojë në dërgimin e emigrantëve në Shqipëri.
Duke folur përpara vizitës në Romë ku u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Starmer tha se ishte “i interesuar” të shihte se si mund të funksiononte skema e përpunimit të emigrantëve të Italisë me Shqipërinë. Ai zbuloi se kishte pasur tashmë disa diskutime me Melonin se si të dy mund të “punojnë së bashku kundër migrimit të parregullt”.
Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë vitin e kaluar, e cila i lejon Italisë të dërgojë disa azilkërkues në atë vend për të trajtuar kërkesat e tyre. Suksesi i kësaj marrëveshjeje ende nuk është testuar (pasi nuk është zbatuar plotësisht), por Meloni thuhet se ka përgjysmuar pritjen e emigrantëve drejt Italisë këtë vit.
Starmer po përballet me një presion të konsiderueshëm për të ndaluar trafikun me barka të vogla. Më shumë se 23 000 njerëz thuhet se kanë kaluar Kanalin këtë vit dhe 8 njerëz vdiqën gjatë fundjavës duke u përpjekur të bënin këtë udhëtim. A mund të rezultojë më e suksesshme një marrëveshje me Shqipërinë se skema e pafat (për të mos përmendur tepër e shtrenjtë) e qeverisë me Ruandën?
Sfida më e madhe për marrëveshjen e Ruandës kishte të ngjarë të vinte gjithmonë nga gjykatat. Një seancë dëgjimore ishte caktuar në Gjykatën e Lartë kur paraardhësi konservator i Starmer, Rishi Sunak shpalli planin e tij fatkeq. Edhe nëse Sunak do të kishte fituar çështjen në gjykatat e brendshme, ai përsëri do të përballej me një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Duke pasur parasysh vendimin fillestar të Gjykatës së Lartë, i cili arriti në përfundimin se Ruanda nuk ishte një vend i sigurt për të dërguar azilkërkuesit, ishte e vështirë të parashikohej një rezultat i suksesshëm në Strasburg.
Sugjerohej se marrëveshja e Sunak-ut për Ruandën ishte vendosur pjesërisht për të caktuar një vijë ndarëse me Laburistët dhe potencialisht për të krijuar një përplasje parazgjedhore me gjykatën e Strasburgut. Kjo nuk funksionoi në asnjërin front. Elektorati nuk u besonte pretendimeve të Sunak për imigracionin dhe ai gjithashtu u detyrua të pranonte se qeveria nuk kishte në plan të deportonte askënd në Ruandë përpara zgjedhjeve, pavarësisht se kishte prioritet ligjin e diskutueshëm, i krijuar për të lejuar largimet. Në të vërtetë, kurrë nuk u ndje sikur skema ishte një mënyrë praktike për të “ndaluar varkat”.
Në të kundërt, marrëveshja e Melonit me Shqipërinë është shumë më pragmatike se skema e Ruandës dhe ka disa dallime domethënëse. Së pari, vetëm azilkërkuesit që vijnë nga vende që Italia i konsideron të sigurta do të përpunohen në Shqipëri dhe vendi do të përdoret vetëm për përpunimin e kërkesave. Ata me pretendime të suksesshme nuk do t’u kërkohet të qëndrojnë atje. Së dyti, Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe është e detyruar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Prandaj, nuk mund të argumentohej se kontraktimi i kërkesave ndaj Shqipërisë do të vepronte si një mjet për të anashkaluar pretendimet legjitime sipas KEDNJ.
Kur u shpall kjo skemë, u raportua se, sipas marrëveshjes, afërsisht 3 mijë njerëz në muaj që tentojnë të arrijnë në Itali nga deti do të ndalohen në dy qendra përpunimi pranë portit veriperëndimor shqiptar të Shëngjinit, teksa kërkesat e tyre për azil do të shqyrtohen. Këto qendra do të paguhen dhe do të plotësohen nga qeveria italiane dhe do të funksionojnë sipas ligjit italian. Siguria e jashtme do të sigurohet nga qeveria shqiptare.
Gjithashtu është vënë re se kostoja e skemës së Shqipërisë ende nuk është bërë publike. Vlerësimet në shtypin italian e tregojnë shifrën në rreth 650 milionë euro (548 milionë £) midis 2024 dhe 2028. Deri më tani, asnjë emigrant nuk është dërguar në Shqipëri dhe sugjerohet se asnjë nuk pritet të mbërrijë deri më vonë në vjeshtë.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka tashmë dy marrëveshje me Shqipërinë. E para është një marrëveshje që Shqipëria do të marrë mbrapsht shtetasit e saj, të cilët konstatohen se shkelin rregullat e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. E dyta është një marrëveshje për kthimin e të burgosurve shqiptarë të burgjeve britanike në vendin e tyre (në këmbim të mbështetjes së MB për të ndihmuar në modernizimin e sistemit të burgjeve shqiptare). Megjithatë, vlen të theksohet se çdo skemë e re me Shqipërinë nuk do të ishte pa polemika dhe se vendi nuk është pa probleme.
Observatori i migracionit i Universitetit të Oksfordit raportoi se në vitin 2022, 16 mijë shtetas shqiptarë aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar, duke përbërë 16% të të gjithë azilkërkuesve atë vit. Shumë nga këta pretendues mbërritën me varka të vogla. Midis 2021 dhe 2022 një pjesë e madhe e tyre (48%) ishin të suksesshme – pavarësisht vlerësimit të Home Office se Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë”. Shumica e pretendimeve të suksesshme u bënë nga gratë. Observatori i migracionit vë në dukje se në vitin 2022, 12% e qytetarëve shqiptarë që mbërrinin me anije të vogla iu referuan sistemit modern të skllavërisë në Mbretërinë e Bashkuar’.
Çuditërisht, marrëveshja italo-shqiptare tashmë është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut. Ata janë të shqetësuar se plani mund të rezultojë në mbajtjen e azilkërkuesve në kampe në Shqipëri, duke çuar në ndalime arbitrare. Amnesty International ka ngritur gjithashtu shqetësime për kushtet në Shqipëri për personat LGTB+ dhe për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Nëse skema e Shqipërisë funksionon në praktikë, mbetet për t’u parë. Kritikët argumentojnë se kjo është thjesht një tjetër përpjekje për të dekurajuar emigrantët për të ardhur në Evropë, nga frika se mos përfundojnë të ndaluar në një qendër përpunimi në një nga vendet më të varfra të kontinentit.
Gjithashtu ka të ngjarë që çështjet gjyqësore të merren nga azilkërkues të pambrojtur duke argumentuar se Shqipëria nuk është një vend i sigurt për ta. Giorgia Meloni e ka pranuar tashmë se gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e tjerë vulnerabël nuk do të dërgohen atje. Për më tepër, nuk është plotësisht e qartë se çfarë do të ndodhë me azilkërkuesit që dështojnë të marrin azilin. Kohët e fundit është sugjeruar që edhe ata të cilëve iu refuzohet kërkesa për azil do të kthehen në Itali dhe do të vendosen në qendra mbajtjeje derisa të mund të riatdhesohen.
Starmer duhet të këshillohet që të shihte mirë se si do të funksionojë marrëveshja në praktikë përpara se të angazhojë ndonjë para publike për një skemë tjetër ambicioze të dhënies së azilit. Megjithatë, fakti i thjeshtë që ai mund të jetë duke shqyrtuar një ide të tillë dëshmon se çështja e imigracionit të paligjshëm mbetet një prioritet urgjentisht i lartë dhe që nuk do të zgjidhet lehtë.