Aksidentet në vendin tonë më së shpeshti ndodhin gjatë orareve të paradites sidomos në ditën e martë. Kështu tregojnë shifrat e Institutit të Statistikave për këtë fillim vit i cili ka shënuar një rënie krahasuar me një vit më parë.
“Duke iu referuar të dhënave të aksidenteve sipas ditëve të javës, rezulton se gjatë ditës së Martë ka ndodhur numri më i lartë i aksidenteve, duke përbërë 26,2 % ndaj numrit gjithsej të aksidenteve. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke përbërë 23,8 % të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Janar 2023”, – thuhet në raportin e INSTAT.
Vetëm për janar 2023 janë regjistruar 21.5 aksidente më pak. Të dhënat tregojnë se në janar 2023 numërohen 84 aksidente rrugore nga 107 të ndodhura në muajin Janar 2022 dhe janë aksidentuar (vrarë dhe plagosur) 119 persona nga 147 persona të aksidentuar nga një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Referuar arsyeve që kanë çuar në aksidente të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve shkak është bërë sjellja e drejtuesve të mjeteve. Duke i kategorizuar si më të pakujdesshmit, të rinjtë janë mosha me përqindjen më të lartë të përfshirë në aksidente. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Ndër qytetet me numrin më të lartë të aksidenteve renditet Tirana e pasuar nga Durrësi e Gjirokastra./ SCAN