Gjashtë gola në 4 ditë, është një shifër alarmante që tregon se mbrojtja e Juventusit “fut ujë”. Pas 3 golave të pësuara nga Atalanta në Kupën e Italisë skuadra bardhezi pësoi 3 gola edhe nga Parma në kampionat. Kjo tregon se mungesa e dyshes titullare Chiellini-Bonucci në qendër të mbrojtjes po bën që skuadra kampione e Italisë të mos bëjë asnjë hap më tej pa ata të dy.
Në sulm skuadra e Juventusit nuk ka asnjë problem, me Cristiano Ronaldo që vazhdon të shënojë, duke qenë golashënuesi i Serisë A.
Gjithsesi, gjithë ky mund i sulmuesit portugez rrezikon të shkojë dëm nëse prapavija nuk arrin të durojë sulmet e rivalëve. Kjo e bën mbrojtjen “Thembrën e Akilit” të skuadrës së trajnerit Massimiliano Allegri, që nuk ka alternativa të denja.
Largimi i Benatia është një gabim në merkaton e janarit për Juventusin, pasi Rugani dhe Caceres nuk japin garanci, duke lënë shumë hapësira në mbrojtje. Në një kampionat si Seria A ka vetëm një mundësi për të fituar titullin, duke pësuar pak gola. Në këto momente, Juventusi nuk e ka këtë luks, ndaj trajneri Allegri shpreson që të ketë në dispozicion lojtarët për dy ndeshjet e Champions League ndaj Atletico Madrid.