Aktualitet “Sterilizimi”, Ilir Beqaj sërish në SPAK: Mora hard diskun me të dhënat...

“Sterilizimi”, Ilir Beqaj sërish në SPAK: Mora hard diskun me të dhënat e laptopit tim

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku u mor në pyetje nga Policia Gjyqësore e Byrosë Kombëtare të Hetimit për rreth 40 minuta.

Pas daljes nga SPAK, Beqaj bëri të ditur se sot i është dorëzuar edhe hard-disku me të dhënat e laptopit të tij të sekuestruar më 28 dhjetor në shtëpinë e tij.

“Sot ishte dita për detyrim për paraqitje. Po ashtu mora edhe hard diskun me të dhënat e laptopit tim të sekuestruar në 28 dhjetor në shtëpinë time”, u shpreh Beqaj.

Beqaj po hetohet nën masë sigurie “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Vendimi i firmosur nga gjyqtari Erjon Bani erdhi pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe u mor 16 Nëntorin e 2023-shit. Që atëherë, Beqaj është paraqitur çdo të premte para Policisë Gjyqësore.

Masa ndaj Beqajt, erdhi pasi Gjykata e Posaçme, i sugjeroi prokurorisë të shtrinte hetimet për koncesionin e sterilizimit edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë, duke përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.