Ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i është komunikuar sot akuza zyrtare nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe se nuk ka parandaluar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj.
“Të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë. Do vërtetohet sa kanë përfituar shqiptarët nga sterilizimi. Prokuroria nuk mori mundimin për 50 muaj të kuptonte pse qendra e sterilizimit nuk u vendos në punë”, tha ai për gazetarët pasi doli nga SPAK.
Ndërkohë kjo nuk është e vetmja çështje ndaj ish-ministrit. SPAK ka nisur një çështje të re, pasi dyshohet se si drejtues i ASPAC ka përfituar nga fondet e BE dhe lidhje klienteliste me kompanitë farmaceutike.
Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në arrest me burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Ndërsa Beqajn, Prokuroria e Posaçme e ka lënë në detyrim paraqitje.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar që ish-ministri i Shëndetësisë, të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.