Aktualitet Stërvitja më e madhe ajrore e NATO-s, Autoriteti i Aviacionit Civil: Anulime...

Stërvitja më e madhe ajrore e NATO-s, Autoriteti i Aviacionit Civil: Anulime fluturimesh në Europë më 12-23 qershor

Nga data 12 deri më 23 qershor, NATO planifikon të mbajë stërvitjen më të madhe ajrore në historinë e kësaj aleance.

Ndërsa Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi sot se në këto data mund të ketë vonesa dhe anulime fluturimesh.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, Aviacioni Civil sqaron se “nga data 12-23 qershor 2023, do të zhvillohet në Europë “Air Defender 23” – stërvitja më e madhe në historinë e NATO-s, duke përfshirë 25 shtete mbi 10 000 trupa dhe 220 avionë. Për shkak të këtij aktiviteti priten vonesa dhe anulime fluturimesh. Eurocontrol (NM), Autoritetet e Aviacionit Civil (ACAA), Siguruesit e Shërbimit të Navigimit Ajror (Albcontrol) dhe Aeroportet (TIA) po punojnë intensivisht për minimizimin e këtij impakti,” thuhet në njoftim.

Ekspertët presin pasoja më të mëdha veçanërisht në Frankfurt, Hamburg dhe Berlin, por pjesërisht edhe në Mynih.

Në stërvitjen “Air Defender” do të angazhohen rreth 10 mijë ushtarë me 250 avionë ushtarakë, nga të cilët maksimumi 100 nga SHBA dhe 70 nga Gjermania. Planifikohen fluturime të ulëta deri në lartësinë 330 metra. Në stërvitje marrin pjesë 25 vende. Njëra hapësirë ​​ajrore është në Gjermaninë veriperëndimore dhe mbi Detin e Veriut, tjetra mbi Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Detin Baltik, dhe e treta mbi landet e Bavarisë dhe Baden-Württemberg. Duke qenë se çdo ditë në Gjermani kryhen rreth 8000 fluturime civile, pasojat për segmentin civil të fluturimeve janë të pashmangshme.