Extra Stilistët që kanë punuar në rrobaqepësinë shtetërore të qytetit Memaliaj

Stilistët që kanë punuar në rrobaqepësinë shtetërore të qytetit Memaliaj

Ashtu si në qytetin e Tepelenës, që u krijua “Kooperativa artizanale”, në qytetin e Memaliajt që sapo kishin hedhur themelet e para dhe po merrte një zhvillim me hapa shumë të shpejtë, lindi si domosdoshmëri krijimi i “Sektorit i Shërbimit Komunal”, ku bënte pjesë edhe reparti i rrobaqepësisë, për burra dhe gra.

Rrobaqepësia e parë u hap në fillim të viteve 1960, me specialistë të ardhur nga rrobaqepësia e qytetit të Tepelenës, si: Lliko Dhimuli, Todhe Çome, Vangjel Aleksi me vajzën e tij, Piro Todhe, Lliko Zhupa. Stefan Zhupa, Thanas Jorgo, …etj.

Rrobaqepësia e parë, ka qenë e lokalizuar me vendndodhje tek godina njëkatëshe në qendër të qytetit, ku në krahë vazhdonte muri famëkeq, prej 3m i lartë, që shërbente për këndin e “Fletë-Rrufeve”, që përdorte propaganda e pushtetit lokal të asaj kohe. Në këtë rrobaqepësi, në vitin 1962, kur Alie Malka ishte vetëm 17 vjeçe, fillon punë si ndihmëse, dhe në vitin 1963, pasi martohet me Zane Nikën, largohet për të kryer një kurs specializimi. Në vitin 1965, filluan punë edhe dy specialistet, Xhiko Gjoni dhe Alie Malka (Nika), të cilat kryen një kurs specializimi 2-vjeçar në Tiranë, në vitet 1963-1965 dhe dolën stiliste shumë të talentuara.

Memaliaj: Dy rrobaqepëset memaliote: nga e majta, Magladhini Dhespo dhe Xhiko Gjoni. Kujtim i viteve 1970.

Në vitin 1967, vjen rrobaqepësi memaliot, Agim Divindari, i cili punonte në rrobaqepësinë e Tepelenës. Po në këtë rrobaqepësi, erdhën edhe rrobaqepëse të tjera, si Magdhalini Dhespo, Bukurie Peri dhe Mirvete Mustafaraj, të cilat në atë kohë, kryenin aktivitet privat dhe shteti e ndaloi për të gjithë aktivitetin dhe pronën private. Rrobaqepësisë iu bashkua edhe Zedeli Deshiku, Fatime Muçi, Xhevo Dedgjoni dhe Nimete Nurka (Divindari).

Kolektivi i rrobaqepësisë, sa vinte dhe shtohej. Kjo bëri që në vitet në vazhdim e deri në vitin 1991, ku u ndërruan sistemet, rrobaqepësia u transferua disa herë. Ajo u vendos tek“Agjencia” e pasagjerëve; në katin e parë tek “Arka e kursimeve”; në katin e parë tek godia e gurtë trekatëshe në qendër të qytetit, përbri “Pallatit të Kulturës”; në katin e parë të pallatit katërkatësh në qendër të qytetit, përballë PTT-së (Posta Telegrafike Telefonike) dhe në fund; në katin e parë tek pallatet e Markatos së qytetit. Në të gjitha këto vendndodhje, në një ambient ka qenë rrobaqepësia e burrave dhe në një tjetër, ajo e grave.

Në vitet e para, pas hapjes së rrobaqepësisë së parë, ishte Alie Nika, e para që hapi kurse për të mësuar rrobaqepëse, të cilat ishin gra shtëpiake dhe nxënëse shkolle, që do të punonin më pas në rrobaqepësinë shtetërore. Kurset për të mësuar gratë, i hapi në ambientet e “Pallatit të Kulturës”, ndërsa për nxënësit e shkollës 7-8 vjeçare, i hapi tek “Shtëpia e Pionierit”. Alie Nika, vijoi hapjen e kurseve edhe nëpër fshatrave, për t’iu dhënë mundësi edhe kësaj pjese të shoqërisë.

Alie Nika, u jepte kurse specializimi atyre bashkëqytetarëve që do të punonin në rrobaqepësinë e grave, ndërsa Vngjel Zhupa, atyre që do të bëheshin pjesë e kolektivit që do të punonin në rrobaqepësinë e burrave.

Vangjel Zhupa dhe Agim Divindari, ishin prestarët, që hapën rrobaqepësinë e burrave. Vangjeli, ishte edhe përgjegjësi i saj, për disa vite.

Rrobaqepës të tjerë që kanë punuar tek të dy rrobaqepësitë e qytetit të Memaliajt, janë: Lliko Dhimuli (Një nga prestarët e parë, tek rrobaqepësia që u vendos tek vendndodhja me toponimin “Gorrica” tek Agjencia e pasagjerëve.), Limoz Mustafaraj (tepelenas), Dhimitër Kushti (tepelenas), Thoma Musai (tepelenas), Vangjel Tamali. Hatie Merdani, Teuta Abazi, Thimjo Koçi (prestar dhe përgjegjës), Marjanthi Liti, Mbarime Kallëmbi, Athina Merdani, Sose Kanani, Shaniko Varfa, Envathi Kano (prestare dhe përgjegjëse), Kasjani Sfeci, Liri Karafili (Muzha), Zogo Ceka, Violeta Gjokthomi, Dallandyshe Sadiku, Mbarime Caushi, Eva Thomai, Dhurata Molla, Vasilika Gjoka, Aleksandër Vlashi, Elda Pazaj, Shpresa Vasili, Arqile Çami, Areti Çaçi (Hyseni), Jolanda Gjoni (Çami), Ferdinant Beqiri, Gëzim Mamaj, Bedri Malka, Afro Bello, Viktor Golemi, Shpresa Seiti (Vangjeli), Miranda Ndreu, Natasha Qesko, Violeta Gjokthomi, Armira Kreci, Areti Dine, Fotini Ceka, Leonora Ceka, Xhuljeta Kallëmbi (prestare dhe përgjegjëse), Olimbi Gjika, Violeta Suljoti, Teuta Telo, Betulla Boni, Esmere Zhupa, Kujtim Katiraj, Dallandyshe Zykaj dhe Fatri Shehu.

Memaliaj: Një pjesë e kolektivit të rrobaqepësisë së grave. Nga e majta, Nimete Divindari, Alie Nika, Xhevo Dedgjoni dhe Eva Thomai. Kujtim i viteve 1980.

Të gjithë këta rrobaqepës, ishin edhe prestar të talentuar, të cilët kanë punuar me përkushtim. Këta duarartë, qepnin këmisha, pantallona, xhaketa, pardesy, pallto, fustane, funde, kapele, xhupa, …etj, duke përmbushur kërkesat dhe shijet e kohës, jo vetëm të banorëve memaliotë dhe të zonës përreth, por edhe atyre që vinin nga rrethet e tjera, për të qepur rrobat apo pajat e tyre të martesës,

Është e vështirë të japësh vlerësime, për këta mjeshtra të vërtetë, pasi tek disa mund të krijojnë edhe ndjesi jo të mira (por besoj në mirëkuptimin e tyre), por si në çdo fushë, gjithmonë ka edhe të talentuar, të cilët përbëjnë atë elitë që edhe drejtojnë në punë, ku mbështetet një komunitet apo shoqëri. Edhe midis stilistëve memaliotë, ka patur që spikasnin më shumë dhe këtë e tregonte puna e tyre dhe kërkesat e klientëve që u drejtoheshin atyre. Në vazhdim, po sjell disa nga emrat e tyre.

Për xhaketat dhe kostumet që priste Vangjel Zhupa dhe Agim Divindari, u kishte vajtur nami edhe në rrethe të tjera, madje kanë ardhur edhe nga Tirana, Durrësi. Fieri, Gjirokastra, Saranda, Tepelena, Përmeti,..etj, për të porositur kostumet e dhëndërisë, por edhe nga individë që punonin në pozita të ndryshme drejtuese të pushteteve lokale dhe të rretheve. Stilistja Ali Nika ishte nga më të kompletuarat, si për veshjet për burrat dhe për gratë, por u përqendrua më shumë tek ato të grave, të cilat i përdornin në çdo stinë. Ky përkushtim, e bëri atë një emër të mirënjohur edhe jashtë rrethit të Tepelenës. Të tjerë stilistë të spikatur dhe të mirënjohur, të cilët ishin prestarë dhe përgjegjës së rrobaqepsive, janë: Dhiko Dhimuli (për burra), Nimete Divindari (për gra), Thimjo Koçi (për burra), Envanthi Kano (për gra), Xhuljeta Kallëmbi (për gra), Vangjel Jorgo (për burra), Xhiko Gjoni (për gra). Piro Todhe (për burra), …etj.

Memaliaj: Pamje gjatë punës nga rrobaqepëset e Memaliaj. Nga e majta Shaniko Varfa dhe Xhiko Gjoni. [Albumi: Griselda Gjoni]
Shumë nga këta rrobaqepës, ishin të caktuar nga Sektori i Shërbimit Komunal, për të shkuar një ditë në javë nëpër fshatra, për të marr porosit e banorëve dhe për t’ua kthyer të qepura në javën që vijonte.

Në repartin e punës me prerje dhe fistona, të punuara me gjergjef, kanë punuar rrobaqepëset: Gjeorgji Çami, Violeta Kadena, Donika Kanani dhe Luljeta Ruka. Të gjitha këto stiliste, kanë qenë mjeshtre të vërteta, pasi kanë nxjerrë me dhjetra modele të ndryshme të punuara dhe të ilustruara me ngjyra të larmishme, që mbratnin penjtë. Aty porositeshin çentro, mbulesa tavoline, divanësh, kolltukësh, çarçafët, jakat për përpaset e nxënësve të shkollës, perde dhe deri tek punimet në bluzat që vajzat dhe gratë vishnin në atë kohë.

Memaliaj: Dy rrobaqepësve nga kolektivi i rrobaqepësisë së grave. Nga e majta, Dhurata Molla dhe Eva Thomai. Kujtim i viteve 1980.

Në Sektorin e Shërbimeve të Komunitetit, u krijua edhe reparti i trikotazhit, ku kanë punuar Marjana Lika dhe Tefta Ceka (Seferi), të cilat prodhonin bluza, pulovra, jelekë, funde, fustane, shalle, …etj, me gjalme të ngjyrave të ndryshme, të cilat i shisnin në repartin e tyre të trikotazhit apo i sillnin klientët me vete, kur bënin porositë e tyre. Të dyja ishin të talentuara dhe punonin shumë bukur.

Në repartin jorganpunues dhe atë të ngjyrosjes, kanë punuar rrobaqepëset: Vasjeko Mustafaraj, Mjaftoni Lulo, Esma Muskaj dhe Mirela Merkohasani. Në këtë repart, bëheshin porositë për punimin e jorganëve me akllas; një copë që prodhohej në ngjyra të ndryshme dhe e shndritshme nga materiali që përbëhej. Ndërsa për pjesën e ngjyrosjes, ato plotësonin kërkesat e banorëve memaliotë dhe të zonës, të cilët çonin bluzat e punuara vetë me gjalmë që e nxirrnin nga përpunimi i leshit që merrnin nga delet, por kishte edhe nëna që bënin bluza edhe prej spangove të bardha që u merrnin thasëve të çimentos. Me të dyja këto lloj gjalmesh, dilnin punime shumë të mira dhe pasi ato ngjyroseshin, dukeshin akoma më mirë.

Të gjithë këta stilistë, qepnin në fshehtësi edhe nëpër shtëpitë e tyre, me përjashtim të atyre që ishin përgjegjësia në këto reparte, të cilët nuk guxonin, pasi ishin gjithmonë nën vëzhgimin e drejtuesve të këtij sektori.

Në mbyllje të këtij shkrimi dokumentar, desha të shprehë mirënjohjen më të thellë për të gjithë këta stilistë të përkushtuar, duarartë dhe të talentuar, të cilët me punën e tyre të palodhur, krijuese dhe plotë pasion, bënin të mundur që të ndiheshin sa më bashkëkohorë, të gjithë bashkëqytetarët e më gjerë, që porosisnin në këto rrobaqepësi.

Edmond Ismailati

Maj 2022