-Në ditën e parë të Javës së Modës në Milano u paraqit me koleksionin e saj edhe stilistja e re shqiptare, Sandrina Qokaj-
Milano. Ky metropol i madh i industrisë lombarde, përfaqësuesi më i rëndësishëm i Made in Italy, konsiderohet edhe kryeqytet botëror i modës. E pikërisht në këtë kryeqytet, u hap në mesin e shtatorit Milan Fashion Week, ose më mirë Java e Modës në Milano, ku për një javë, (16-24 shtator) morën pjesë me krijimet e tyre personazhet më të mëdhenj të modës botërore, duke filluar me Pradën, që hapi serinë e sfilatave të mëdha e u mbyll me Guccin. Brenda një jave, në 58 sfilata, 110 prezantime, u paraqitën 170 koleksione të reja që sollën tendencat e sezonit të ardhshëm pranverë-verë 2020. Me këtë ishin të lidhura edhe 54 evente të ndryshme që pasuruan javën e madhe të modës milaneze, me pjesëmarrjen e gjerë të një publiku ndërkombëtar. E në tendencën e re të stinës së ardhshme është edhe ajo për respektimin e ruajtjen e ambientit, ku moda, me materialet e saj, shembullin dhe stilin e vet kërkon ta thotë fjalën fuqishëm. Dihet tashmë që protagoniste e kësaj tendence është bërë rinia, e cila kërkon të marrë në dorë fatet e planetit, të ardhmen e vet e të brezave që vijnë.
Jo më kot, në këtë javë të modës milaneze rinia pati vendin e vet të rëndësishëm. Madje, dita e parë, më datën 16 shtator, pra hapja e këtij evenimenti madhor të modës, iu la të rinjve, aspirantëve dhe protagonistëve të ardhshëm të modës botërore. Në këtë ditë u organizua në pallatin Bocconi, në via Venezia, Eventi Savo’. Stilistja e mirënjohur Elena Savo’, e cila shquhet jo vetëm për stilin e saj të mirënjohur në paraqitjen e gruas elegante, komode e casual-chic, por edhe për përkrahjen e talenteve të reja e premtuese në fushën e modës, solli në passarelë pikërisht stilistë të rinj emergjentë por edhe premtues. Ajo ka nuhatje në këtë drejtim dhe di kë të afrojë e seleksionojë për të sjellë përpara publikut të gjerë dhe specialistëve të modës. Duke qenë edhe vetë e re në moshë, plot energji e fantazi krijuese, por edhe me ambicie te larta profesionale, ajo sheh tek këta të rinj veten dhe rrugën e saj, përpjekjet e saj për të çarë midis të mëdhenjve e korifejve të modës botërore. E në të njëjtën kohë bëhet shembull për këta të rinj të cilëve u hap dritën jeshile drejt së ardhmes.
E midis të zgjedhurve të saj është edhe stilistja e re shqiptare, Sandrina Qokaj, e cila në një periudhë të shkurtër kohore është bërë protagoniste dhe ka qenë shpesh herë përpara prozhektorëve të sfilatave dhe syrit të publikut e specialistëve, duke bërë që të flitet jo pak për të në Itali e në Zvicër, në Canne të Francës, Montecarlo e në Firenze, ku ka paraqitur veshjet e ideuara, të disenjuara e të qepura prej saj. Duke kujtuar rrugën e saj, Sandrina nuk le pa kujtuar ndihmën dhe dashamirësinë e një zonje tjetër të grupit Savo’, Rosanna Trinchese, Art Director docente në akademinë e arteve për design në Firenze e specializuar edhe në fashion projekt managment dhe fashion comunication e trends. Një zonjë e re, plot grintë, që menaxhon shumë mirë e me profesionalitet të lartë edhe faqen e grupit Elena Savo’. Ajo e zbuloi talentin e Sandrinës në sfilatën e Firenzes, ku stilistja e re shqiptare u paraqit me krijimet e veta. Dhe e aktivizoi pastaj në sfilatën e Montecarlos, ku Sandrina u paraqit me 13 kostume. I kërkuam një opinion zonjës Rosanna lidhur me talentin e stilistes shqiptare dhe ajo u shpreh: “Një designer shume e re, me kulturë të gjerë në fushën e modës,, e cila në ndryshim me shumë talente të reja, ka arritur të kapë bukurinë dhe elegancën”.
Dhe ja tani, në një nga eventet më të mëdha të kësaj fushe, në Javën e Modës në Milano. Është hera e parë që një stiliste shqiptare merr pjesë në javën e madhe të modës milaneze. Kjo, natyrisht na bën të ndihemi krenarë ne bashkëatdhetarëve të saj, që e kemi parë të rritet këtu, të zgjojë ëndrrat e saj dhe t’u japë udhë atyre me kurajo, vendosmëri e talent.
Në kopshtin e bukur të pallatit Bocconi është ngritur pasarella, anash së cilës një publik i gjerë, i të gjitha moshave dhe nga të gjitha vendet, por edhe specialistë, syrit të të cilëve nuk i shpëton asgjë. Është pikërisht kjo vëmendje e përqendruar e publikut dhe e specialistëve që i bën stilistet dhe modelet që sfilojnë t’u dridhen gjunjët nga emocionet.
Sandrina ka filluar të mësohet tashmë nga pak me këto emocione, por një ngjarje e këtyre përmasave shkon përtej emocioneve, të cilat ajo di t’i mposhtë me vendosmërinë e saj. Në këtë sfilatë ajo ka sjellë tendencat e reja në kostumet e plazhit për sezonin e ardhshëm veror. Ajo i ka zgjedhur e përgatitur vetë 16 modelet e reja, ndër të cilat 3 fëmijë që prezantuan krijimet e saj më të fundit në fushën e modës. Në kostumet e Qokajt spikat eleganca, talenti e fantazia e pasur. Nuk është e zakonshme për një vajzë që sapo i ka kaluar të njëzetat e që ka edhe ngarkesa jo të vogla si nënë dhe si bashkëshorte, të futet e të studiojë modën edhe të viteve ’50-’60 të shekullit të kaluar, kur nuk kishin lindur akoma as prindërit e saj. Por ajo është kërkuese, ka lexuar për bumin ekonomik të atyre viteve, për shpërthimin e modës që solli aq gjëra të reja në emancipimin e femrës italiane e europiane, por edhe në çlirimin e forcave, energjive e rritjen e personalitetit të femrës. Këtë studim ajo e bën me një synim të caktuar, që në krijimtarinë e saj të gërshetojë tradicionalen me modernen dhe bashkëkohoren, duke sjellë krijime që mbajnë vulën e kohës por edhe të origjinalitetit të saj të spikatur si stiliste e re. Ajo ka objektiva e synime të qarta për rrugën e saj, nuk ndalet asnjë çast, sepse e di që në modë duhet të jesh novatore e të ecësh me kohën, ndryshe koha të lë prapa e del jashtë mode kollaj. Ajo është kërkuese, ndjek më të rejat në këtë fushë, njeh tendencat dhe bëhet energjikisht pjesë e tyre, duke vënë gjurmën e talentit të saj, që sot bën hapat e parë premtues e që nesër do trokasë fuqishëm passarelave më të mëdha e më të rëndësishme të globit. A nuk e nisën kështu e në kushte edhe më të vështira ato dhjetra zonja të mëdha të modës botërore që kanë atelietë e tyre në të tëra anët e globit? Nuk e bëjmë këtë pyetje për të krijuar një paralelizëm, por për të evidentuar atë talent që ushqehet nga objektiva dhe synime të qarta e largpamëse nga Sandrina.
Të gjitha këto cilësi të saj spikatën edhe në këtë sfilatë në hapje të javës së modës milaneze. Duke patur ide të qarta, ajo ve në qendër të krijimtarisë së saj familjen. Konkretisht ajo sjell kostumet e plazhit për gra, por edhe për fëmijë, prandaj në grupin e saj të modelistëve ishin edhe 3 të vegjël. Ajo sfiloi vetë me djalin e vogël në krahë. Ai vogëlush sot nuk është në gjendje të kuptojë rëndësinë e këtij momenti, por nesër, kur të rritet e do të shohë fotot, do ndjejë një krenari të dyfishtë për nënën e tij.Synimi i saj është që konceprtin e familjes ta zgjerojë duke futur edhe veshjet e plazhit për burra, që në sezonin e ardhshëm.
Gjatë sfilatës bie në sy përgatitja e modeleve të reja, por spikat në mënyrë të veçantë që në hapje për elegancën, talentin dhe lëvizjen profesionale një vajzë e re milaneze, Greta Mazzini, e cila sfilon bashkë me vogëlushen Anja. Duket që ajo tashmë ka krijuar familjaritet me pasarelën dhe Sandrina e shikon si fytyrën-imazh të brandit të saj. Por edhe modelet e tjera, si Sara Mitiç, Diletta Venturi, Valentina Villani e Lucia Pellizzaro punojnë me një kërkesë të madhe profesionale e kjo i jep seriozitetin e duhur tërë punës krijuese të Sandrinës. Edhe Lucia, në mbyllje sfilon me vogëlushet Kendra. Kur i shikon edhe vogëlushet të sfilojnë kupton që Sandrina e sheh punën e saj në perspektivë, duke menduar për të sotmen dhe të nesërmen e modeleve që do paraqesë në paserelë.
Koha e një sfilate nuk zgjat shumë. Por për të realizuar këtë spektakël janë dashur muaj të tërë përgatitjesh, netë pa gjumë të Sandrinës mbi disegnot, mbi stampat etj. Ajo e bën gjithçka vetë, që nga idetë që i lindin me shumicë e deri në përgatitjen e kostumeve për sfilatë. Jeton në Losanë të Zvicrës, ku me punën e saj ka tërhequr herë pas here edhe vëmendjen e gazetave e mediave, si fashion chanal TV,Fol shqip show, i cili e ka bazën në Lucerna, por transmetohet edhe në 4 shtete të tjera e në you tube etj. Flet 4 gjuhë të ndryshme, që e ndihmojnë për të komunikuar sa më gjerësisht e edhe për të studiuar pa pushim mbi të rejat e modës së sotme.
Pas punës së saj për të patur sukses në sfilatë qëndrojnë edhe Denise Denegri, backstage manager, Stefano Bini, catwalk director e të tjerë me të cilët Sandrina ka bashkëpunuar e mban lidhje të vazhdueshme profesionale.
Sfilata përfundon e shumë bashkëatdhetarë që e ndoqën hijeshinë e kostumeve të Sandrinës e takojnë atë të entuziazmuar, e përgëzojnë dhe inkurajojnë e bëjnë foto me stilisten e re.
Tek e pyesim për projektet e saj të ardhme, ajo shfaq edhe një ëndërr që e ka të përhershme në sirtar, të organizojë një sfilatë mode me krijimet më të mira edhe në Tiranë. Do ishte diçka shumë e bukur. Po a i hapet udha nga institucionet e kryeqytetit tonë dhe organet kompetente? Dihet që ato as e vrasin mendjen për talentet që lindin e rriten në diasporë. Le pastaj që të angazhohen e t’i ndihmojnë për të paraqitur punën e tyre përpara publikut shqiptar. Por do të jetë koha ajo që i ve gjërat në vend. Nuk do jetë larg dita kur do të shohim kostumet e Sandrinës të sfilojnë në Pallatin e Kongreseve e edhe në televizionin shqiptar.
Java e modës la gjurmët e saj pozitive. Sandrina, e ngarkuar me emocionet e çastit i është rikthyer jetës së përditshme, por edhe punës për projektet e ardhshme. Syri i saj ka kurajon ta hedhë vështrimin edhe përtej Europës, edhe matanë oqeanit. Ëndrrat e mëdha, kurajo dhe vendosmëria pushtojnë udhët e gjata të globit.
Autorë: Aleks Tom Vulaj dhe Ndue Lazri
Fotot nga: Simona Maggio e Cassandra Grisendi.
*Së shpejti do dalë edhe video e sfilatës në Fashion Channel TV.
**Veprimtarinë e Sandrinës mund ta ndiqni edhe në Instagram (Sandrinaqokajfd), e në Fb (Sandrina Qokaj fascion design)