Sport Stolat “e nxehtë” në Serinë A, vetëm tre trajnerë të konfirmuar për...

Stolat “e nxehtë” në Serinë A, vetëm tre trajnerë të konfirmuar për sezonin e ri

Kur jemi vetëm një javë larg fundit të kampionatit italian, si rrallëherë më parë pankinat e klubeve janë më të lëkundura se kurrë, pasi deri tani vetëm tre trajnerë janë të konfirmuar për sezonin e ri.

I sigurt është Jose Mourinho në pankinën e Romës, pasi marrëveshja mes palëve u zyrtarizua pak ditë më parë, Stefano Pioli në stolin e Milanit, pavarësisht nëse do të arrijë apo jo objektivin për një vend në zonën Champions dhe Castori i Salernitanës, i cili riktheu skuadrën në Serinë A.

Pjesa tjetër e trajnerëve nuk janë të sigurt nëse do të jenë në të njëjtën pankinë edhe sezonin e ardhshëm, pasi Andrea Pirlo nuk ka bindur te Juventusi dhe bardhezinjtë janë të joshur nga ideja për të rikthyer në Torino Zinedine Zidane.

Nga ana tjetër De Laurentiis ka ndërpresë bisedimet me Spallettin dhe po provon të rinovojë me Gattuson, por ky i fundit duket se i ka dhënë fjalën presidentit Rocco Commisso për t’u ulur në stolin e Fiorentinës sezonin e ardhshëm.

Pasiguri ka edhe për Simone Inzaghin, që pavarësisht konfirmimeve publike nga ana e drejtuesve, nuk ka vënë ende firmën mbi kontratën e re, ndërsa Mihajlovic po mban pezull Bolognën, pasi është në pritje të ndonjë oferte më joshëse.

Mund të quhet i sigurt edhe largimi i Roberto De Zerbit nga Sassuolo, me destinacion Ukrainën, ku e pret Shakhtar Donetsk, ndërsa skuadra nga Emilia-Romagna po punon për ta zëvendësuar pikërisht me trajnerin aktual të Spezias, Vincenzo Italianon.

Edhe Torino nuk ka ndërmend të konfirmojë Davide Nicolën për sezonin e ardhshëm, teksa synimi i presidentit Urbano Cairo është që të afrojë në pankinë kroatin Ivan Juriç, aktualisht te Verona, ndërsa këta të fundit po marrin në konsideratë afrimin e Filippo Inzaghit.

Mbi të gjitha, pasiguri ka edhe në pankinën e Interit kampion të këtij sezoni, pasi Antonio Conte ka shtyrë gjithmonë diskutimet mbi të ardhmen e tij, duke qenë se pret të takohet me presidentin Steven Zhang gjatë javës së ardhshme.

Trajneri italian është gati të vijojë punën në pankinën zikaltër, por ka si kusht garancitë sportive nga ana e presidentit të klubit, pasi dëshiron që të çojë para këtë projekt, për të synuar objektiva edhe më të mëdha.

Gjithsesi ajo që mund të thuhet me siguri është që menjëherë pas fundit të sezonit, në klubet italiane pritet të nisë një valë ndryshimesh në pankina, çka do të ndikojë jo pak edhe në merkaton për sezonin e ardhshëm.