Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e bën të qartë se nuk do të ketë ndryshime në praninë e NATO-s në Kosovë, pasi, sipas tij, të 30 vendet anëtare janë të përkushtuara për vazhdimin e mandatit.
Komentet erdhën pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili javën e kaluar tha se “kanë marrë informacione nga burimet e agjencive të zbulimit se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova”.
“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”, tha Stoltenberg.
Vuçiç tha se “është i kënaqur me këto sqarime” dhe se shpreson që ky deklarim i Stoltenbergut do të konfirmohet edhe në samitin e NATO-s, në muajin qershor. Presidenti serb shprehu përkushtimin ndaj normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pasi shefi i NATO-s pohoi se bisedimet janë platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar një paqe afatgjatë, që garanton një të ardhme më përparimtare për të gjithë.
“Serbia është plotësisht e përkushtuar, 100 për qind e përkushtuar ndaj procesit të bisedimeve dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur një marrëveshje kompromisi. Shpresoj që të dyja palët do të kemi forcë të mjaftueshme për të përmbyllur procesin në mënyrë pozitive. Nëse jo, megjithatë kemi nevojë për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë që është gjithnjë më mirë sesa të kemi dhunë, incidente etj”, tha Vuçiç.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në pjesën e dytë të qershorit me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.