Gjykata Europiane në Strazburg është aktivizuar, pasi ligji i ashtuquajtur “Stopp-Soros” në Hungari çon në kriminalizimin e ndihmës për refugjatët dhe kufizon edhe më tej të drejtën e azilimit, vuri në dukje Komisioni i BE-së. Brukseli do që me padinë ndaj qeverisë së djathtë nacionale të kryeministrit Viktor Orban ta detyrojë atë, që të tërheqë ligjin e diskutueshëm. Në këtë ligj përfshihet edhe rregullorja për të ndaluar ndihmat për azilkërkuesit në emër të një organizate.
Punonjësit e organizatave të ndihmës për refugjatë mund të dënohen me heqje lirie deri në një vit. Nëse Gjykata Europiane i jep të drejtë Komisionit të BE-së, Hungaria mund të ndëshkohet me gjoba të detyrueshme, për t’i ndryshuar këto rregullore të diskutueshme. Kjo është padia e parë e Komisionit të BE-së në Gjykatën Europiane. Në vitin 2017 Komisioni dy herë iu drejtua Luksemburgut në një rast për procesin e azilimit në Hungari dhe në një rast tjetër për ligjin e arsimit të lartë.
Qeveria e Orbanit kaloi në parlament më 2018 ligjin e ashtuquajtur “Stopp-Soros. Emërtimi i ligjit me “Stopp Soros” i referohet miliarderit liberal nga SHBA George Soros. I mbijetuari i Holokaustit i lindur në Hungari mbështet me fondacionet e tij humanitar një sërë organizatash civile, që ndihmojnë refugjatët dhe azilkërkuesit. Qeveria hungareze e akuzon Sorosin, se po sjell një numër të madh emigrantësh myslimanë në Europë. Një pllakatë e kritikuar në mbarë BE-në së fundi shpif ndaj tij duke e cilësuar si një demon që i fryn në vesh presidentit të Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker.
Komisioni i BE-së vendosi gjithashtu, t’i drejtohet me një shkresë Hungarisë, sepse njerëzve që ndodhen në procedurat e kthimit në zonat hungareze të tranzitit nuk u jepet ushqim. Shkresa udhëzuese është hapi i parë drejt një procesi për shkelje procedurale.