Lazio mori një tjetër humbje në kampionat kundër Juventusit, në shifrat 2-1 dhe kjo ishte dhe disfata e dytë radhazi për bardhekaltërit. Nëse një pjesë e ekipit, së bashku me trajnerin, janë vendosur në qendër të kritikave, Thomas Strakosha jo. Gardiani kuqezi edhe një herë tjetër nuk është cilësuar si fajtor për golat e pësuar, ndërsa performanca e tij është vlerësuar me notën 6.
Atalanta mori një barazim 3-3 kundër Romës, në një ndeshje të madhe të bergamaskëve, që arritën të rikuperonin disavantazhin e tre golave. Vlerësim pozitiv për dyshen kuqezi në radhët e Atalantës, Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha. Për mbrojtësin shkon nota 5.5, ku peshon një pjesë e parë e dobët nga ana e tij, por gjatë pjesës së dytë arrin të rikuperojë duke mos gabuar në asnjë moment. Përsa i përket golave të pësuar, Berisha nuk ka përgjegjësi dhe gardiani nga Prishtina është vlerësuar me notën 6.
Mbetemi në kampionatin italian, ku për Elseid Hysajn vijon të jetë situatë e vështirë, pasi ndeshjen që zhvilloi Napoli kundër Milanit, shkodrani e pa nga stoli, sepse nuk u preferua për asnjë minutë nga Carlo Ancelotti.
Minuta të pakta edhe për sulmuesin shkodran Sindrit Guri, në kampionatin belg, në takimin mes Oostendes dhe Club Bruugges. Sulmuesi u aktivizua në minutën e 86′, kur rezultatin i takimit ishte në shifrat 2-1 në favor të kundërshtarit, ndërsa nuk arriti të bëjë asgjë për të ndryshuar shifrat.
Elis Bakaj ndërkohë ka arritur të lërë gjurmë në ndeshjen miqësore që zhvilloi Shaktjor Soligorsk kundër Hajdukut të Splitit. Bakaj ishte autor i golit të barazimit, ndërsa në fushë për skuadrën kroate ishin dhe mbrojtësi i kombëtares Ardian Ismajli, së bashku me sulmuesin e përfaqësues kuqezi të 21-vjeçarve, Emir Sahitin.