Fillimisht koronavirusi dhe më pas rikthimi me tre gola të pësuar ndaj Udineses në humbjen 1-3 në “Olimpico”, kanë vulosur humbjen e vendit të titullarit për gardianin shqiptar të Lazios, Thomas Strakosha.
Hera e fundit që 25-vjeçari luante titullar ishte pikërisht ndeshja ndaj friulianëve më 29 nëntor dhe më pas plot 6 takime radhazi i ka ndjekur nga stoli, pasi trajneri Simone Inzaghi ka vendosur t’i besojë veteranit spanjoll Pepe Reina, i cili po paraqitet vërtet mirë.
Situata nuk është aspak e mirë për Strakoshën, pasi do t’i duhet të punojë dhe djersijë shumë për t’u rikthyer titullar, sepse vetë Inzaghi e pranoi pas fitores me Napolin, se momentalisht Reina e ka fituar me meritë vendin në formacion dhe se do të ishte padrejtësi t’ia mohonte.
“Strakosha ka bërë mjaft mirë 3-4 vitet e fundit dhe ne besojmë te ai. Ndoshta gabova unë që e aktivizova menjëherë pas shërimit nga koronavirusi, pasi nuk ishte stërvitur mjaftueshëm. Momenti i tij do të vijë sërish, megjithatë Reina po bën shumë mirë dhe po na jep shumë garanci në fushë. Ai e ka fituar me meritë vendin në formacion dhe do të ishte padrejtësi ta riktheja në pankinë tani që po përjeton një formë fantastike”, u shpreh Inzaghi.
Në ndeshjen Lacio-Napoli ishin të shumtë futbollistët shqiptarë, por përveç Vedat Muriqit që pati disa minuta, të gjithë të tjerët e ndoqën atë nga stoli. Te Lacio bënë “tifo” nga stoli portierët Strakosha dhe Alia, kurse te Napoli Hysaj dhe Rrahmani.
Të mërkurën Lacio ndeshet me Milanin kryesues. Trajneri Inzaghi shpreson të rikuperojë ndonjë lojtar, sepse është në emergjencë për shkak të mungesave, ndërkohë që skuadra duhet të rifitojë energjitë, pasi ndaj Napolit shpenzoi shumë.