Suedia ishte një “dezertuese” e regjimit të kufizimeve, i aplikuar në pjesën më të madhe të botës për frenimin e pandemisë. Në ndryshim nga shumë prej fqinjëve europian, Stokholmi nuk i nënshtroi qytetarët e vet ndaj masave strikte, dhe imazhet e njerëzve qe popullonin rrugët apo bisedonin në kafene e restorante, kanë habitur jo pak.
Të vegjlit nuk u shkëputën nga shkolla, bizneset, nga sallonet e bukurisë tek restorantet, mbetën të hapura, por qytetarët u këshilluan të punonin nga shtëpia nëse do të ishte e mundur. Qasja e pazakontë e Suedisë është në kontrast të madh me atë të vendeve të tjera nordike si Finlanda dhe Danimarka, të cilat shpallën gjendjen e emergjencës, mbyllën shkolla e biznese.
Por ajo që të gjithë pyesin tani, është a ka funksionuar strategjia suedeze? Autoritetet pretendojnë sukses, por shifrat tregojnë të kundërtën. Niveli i vdekshmërisë është rritur ndjeshëm, me 21 të vdekur për 100 mijë njerëz, ndërsa në Danimarkë raporti është 7 në 100 mijë.
Deri më tani Suedia ka regjistruar mbi 18 600 raste dhe 2194 vdekje nga COVID-19, mes popullsisë prej 10.3 milionë banorësh. Danimarka, me një popullsi prej 5.8 milion banorësh, ka 422 vdekje dhe rreth 8770 raste, e po ashtu Norvegjia numëron vetëm 202 viktima dhe rreth 7400 persona të prekur.
Gjithashtu, Republika Ëeke, me një numër të ngjashëm popullsie me Suedinë, ka shumë pak raste, gati 7400 dhe vetëm 221 vdekje. Vendi ndoqi një tjetër qasje, duke mbyllur institucionet arsimore, restorante dhe shumicën e dyqaneve.
E megjithatë Suedia nuk ka aq shumë vdekje sa Italia, Spanja, e Britania e Madhe por kjo lidhet me faktorë kompleksë, si mosha mesatare e popullsisë e cila është me e lartë në Itali, numri i duhanpirësve dhe bashkëjetesa e brezave.