Strategjia për uljen e çështjeve të prapambetura në gjykata
Këshilli i Lartë Gjyqësor ngre si shqetësim numrin e lartë të dosjeve të prapambetura dhe që mund të zgjidhet përmes një strategjie kombëtare me bashkëpunimin e të gjitha institucioneve.
Naureda Llagami është shprehur se KLGJ ka ardhur me një produkt që synon adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat e vendit. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e KLGJ-së, Llagami i ka bërë kërkesë për bashkëpunim çdo gjyqtari, por edhe qeverisë dhe kuvendit për t’i dhënë sistemit atë që i është premtuar popullit për Reformën në Drejtësi.
“Në vazhdën e iniciativave konkrete, KLGJ vjen me një produkt që synon adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat tona. Përballje për herë të parë të një problematike që prek thelbin e shtetit ligjor. Nuk është thjesht problemi i KLGJ-së, është një problem kombëtar që kërkon një strategji gjithëpërfshirëse. I bëjmë thirrje për bashkëpunim çdo gjyqtari, por edhe të gjithë pushteteve, qeverisë dhe kuvendit për t’i dhënë sistemit atë që i premtuam popullit për Reformën në Drejtësi edhe mbështetjen buxhetore.
Strategjia e paraqitur për mbështetje dhe që synon uljen e stokut nëpër gjykata, është hartuar e konsultuar. Jemi të vetëdijshëm që backlogu, pengesë reale që qytetarët të marrin drejtësi brenda afateve. Lidhet me respektin e të drejtave të njeriut dhe me besimin që jo vetëm tek drejtësia, por edhe te shteti i së drejtës. Backlogu, problem kronik. Nevoja që sot të ngrihemi mbi interesat personale. Sot është koha për veprim.
Masat lidhen me mbajtjen e funksionit bazë në planin afatshkurtër dhe ndihmojnë në standardet evropiane dhe nevojat e shoqërisë. Strategji që të jetë e suksesshme kërkon bashkërendim me të gjithë aktorët, me Ministrinë e Drejtësinë ashtu dhe me Kuvendin. Në këtë frymë bashkëpunimi, debati konstuktiv, së shpejti do të kemi rezultatet konkrete. Le të jemi bashkë edhe njëherë për hir të qytetarit sot”, tha Llagami.
I dërguari me punë i ambasadës së SHBA-së, David Wisner, vlerësoi punën e bërë me reformën në drejtësi, por shtoi se është e nevojshme që të ndërmerren hapa më të vështirë.
“Të gjithë ju keni një punë të vështirë, se duhet ta pranojmë këtë dhe për të bërë përpara është e rëndësishme që ju keni nisur ta bëni. Ky është hapi i parë dhe ndërsa ne jemi duke hyrë në këtë stinë olimpike dhe kur mendon për Shqipërinë është njësoj sikur jeni duke u përpjekur të kaloni nga një person, i cili thjesht qëndron ulur në një kolltuk në një atlet olimpik. Është një kohë e shkurtër kur mendohet. Ju keni një punë të vështirë dhe të gjithë keni bërë një punë të jashtëzakonshme, por tani mbetet shumë për t’u bërë, ne jemi krenarë si amerikanë dhe si ambasada e SHBA-së këtu se bashkëndajmë vlerat e përbashkëta të demokracisë, të të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit”.
Për drejtuesen e zyrës së Këshillit të Europës, Gulia Re, qëllimi është funksionimi i drejtësisë përmes instrumenteve që duhen.
“Ulja e dosjeve të prapambetura është e qartë. Qëllimi është përmirësimi i efektshmërisë dhe funksionimi i drejtësisë përmes instrumenteve që duhen në përputhje me konventën europiane të të drejtave të njeriut e në veçanti neni 6; e drejta për një sistem gjyqësor të drejtë. Për 6 vite, asistenca jonë ka qenë në shërbim të përdoruesve të gjykatës, për të dhënë drejtësi cilësore ndaj qytetarit”.