Nga Luan Rama*
Historia e vjetër e shqiptarëve gjithnjë e më shumë na zbulon bëma e ngjarje të habitshme, ku jo rrallë, shqiptarët janë protagonistë dhe aktorë vendimtarë të ngjarjeve të mëdha jashtë territoreve shqiptare. Dhe kur këto bëma, këta emra kalorësish dhe politikanësh të shquar, i ndesh në faqe librash mesjetarë, të ngjan se në hirin e kohërave zbulon gurë të shndritshëm, sikur ato prushe të jenë fshehur ashtu, për të mos u shuar kurrë. Të tillë ishin stratiotët e famshëm shqiptarë, këta kalorës të ngjeshur me hekur, që për afro një shekull e gjysmë, konsideroheshin kalorësia më e lavdishme e kristianizmit evropian.
Emri i stratiotëve vjen nga greqishtja «stratiotes» që do të thotë luftëtar, e përdorur nga shqiptarët e Moresë. Venecianët ata i quanin ata «stradioti». Stratiotët u shfaqën në histori pas epokës së lavdishme të Skënderbeut. Ishte koha kur hordhitë osmane filluan të dyndeshin drejt Ballkanit perëndimor për të dalë në Adriatik dhe për të shkuar gjer ne brigjet veriore të Mesdheut. Philippe de Commynes, (1447-1511) diplomat mjaft i njohur në Evropë dhe këshilltar i mbretit të Francës, në kujtimet e tij Memoires, shkruan për famën e stratiotëve, duke na kujtuar dhe fjalorin e hershëm Thresor de la langue Françoyse. «Ata ishin shqiptarë nga Duras (Durrësi) dhe shqiptaro-grekë që vinin nga Morea, që në atë kohë dhe ajo ishte nën zotërimin e venedikasve».
Commynes i kishte parë ata në Venecie kur 1500 stratiotë kishin zbarkuar në ishull, ku kishin bërë një paradë madhështore, pranë abacisë Saint-Nicolas. Atëherë stratiotët identifikoheshin me termin «Cavalerie Albanoise» dhe Perëndimi kishte shumë nevojë për ta, pasi shpesh ishte kavaleria ajo që vendoste fatin e betejave të mëdha. Ata ishin luftëtarë të armatosur gjer në dhëmbë, me kostume hekuri dhe me mansheta të gjata prej rrjete çeliku, që mbanin një heshtë me dy maja, të gjatë 3 metra, të cilën e manovronin me të dyja duart dhe që luftonin mbi kuaj gjithnjë në këmbë. Heshta e tyre quhej «zagayé», që nuk është çudi të jetë një fjalë e vjetër shqipe. Ata cilësoheshin «luftëtarë të tmerrshëm», siç i përshkruajnë kronistët e kohës dhe flinin jashtë, në natyrë, bashkë me kuajt e tyre.
Stratiotët ishin në fakt një trupë mercenarësh, por tepër të krishterë dhe nuk dyshohet që në luftën kundër turqve, ky element të ketë luajtur një rol të dorës së parë. Të detyruar të braktisnin trojet e tyre, në fillim, ata luftuan në krah Venedikut kundër ushtrive të mbretit të Francës, ku siç shkruhet në tekstet e vjetra historike, «për çdo kokë francezi, ata paguheshin 1 dukat». Megjithatë ata i shërbyen dhe republikave të tjera të veriut të Italisë apo Napolit.
Sidoqoftë, më pas, lidhja me mbretërit francezë do të jetë e qëndrueshme përgjatë më shumë se një shekulli. Mbreti i Francës Henri II e forcoi kavalerinë e tij duke thirrur në ushtrinë franceze një numur të madh stratiotësh. Kavaleria e tij quhej atë kohë “Argoulets”, ndërsa stratiotët, francezët i quanin herë “Albanais” dhe herë “Estradiots”. Në fakt, stratiotët do angazhoheshin edhe nën mbretërinë e Louis XII, i cili mori 2000 stratiotë të veshur shqiptarçe, apo “à l’albanoise”, siç shkruajnë kronistët francezë. Në shënimet e tij të udhëtimit Jean Marot, poet dhe sekretari personal i mbretit francez, shkruante se ” ata vinin mbi kuaj sikur ti sillte stuhija”. Në shekullin e XVI tri kavaleri ishin më me emër në gjithë Evropën: së pari stratiotët shqiptarë, së dyti kalorësit spanjollë “genetiaires” dhe së treti kalorësit gjermanë “reîtres”.
Madje në atë kohë, në Francë përdorej dhe shprehja “chevaucher comme un Albanais” (“të kalërosh si një shqiptar”). Edhe mbreti tjetër i Francës, François I, një nga mbretërit më progresist të Francës, futi në ushtrinë e tij shumë kalorës stratiotë. I biri i tij, i kishte afruar ata gjer në truprojen e tij, ndërsa Henri IV dhe Louis XIII i kishin në përbërje të ushtrive të tyre. Po kështu dhe Henri I de Montmorency, një nga dukët dhe mareshallët e njohur të Francës, truprojen e tij e kishte vetëm me shqiptarë. Sipas Ch. Hopt, në librin e tij Chroniques greco-romaines, shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte nën komandën e tij një trupë prej 200 stratiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të veri të Francës. Por më pas mësohet se i helmuar ai vdiq në Picardie, në vitin 1526. Por ndërkohë, vëllai i tij, i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë, (Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës.
Edhe Merkur Bua njihej si një stratiot i famshëm, i cili do të merrte dhe gradën gjeneral i kavalerisë franceze të Louis XII. Madje ne dokumentet veneciane, ai cilësohej “magnifico conte Mercuri Bua”. Kronikanët italianë shkruajnë për ndihmën e madhe që i dha princit Malatesta Baglioni-t në luftën kundër spanjollëve, duke marshuar së bashku drejt Veronës, për ta çliruar atë. Historiani Jean-Claude Favereyal, në studimin e tij Historia e Shqipërisë, duke shkruar për lidhjet e vjetra mes francezëve dhe shqiptarëve, thekson se “Në kohën e Louis XIII, misionarët francezë që vizituan Shqipërinë, u habitën kur panë me admirim këtë racë me shpirt të fuqishëm, shtatlartë, me tipare të ashpra dhe me armët ku ishin emblemat e zambakut francez”. Pikërisht, në kulmin e lavdisë së stratiotëve spikat dhe figura e një prijësi të madh të tyre, Konstantin Aranitit.
Araniti, aleati i mbretit francez
Kostantin Araniti është një nga personazhet më të habitshëm të historisë shqiptare pas epokës së Skënderbeut. Ai ishte nga të rrallët që arriti një dimension evropian në oborret mbretërore të republikave të veriut të Italisë, të mbretërisë së Francës apo të Napolit në Italinë e jugut, etj. Mjerisht historiografia shqiptare shumë pak e ka prekur këtë figurë kaq simpatike dhe të besës, por dhe një person tek i cili, mbreti i Francës dhe mbretërit e tjerë të jugut dhe të veriut të Italisë, kishin nevojë të mbështeteshin. Shumë historianë italianë dhe francezë, kur kanë shkruar për historinë e luftrave të Italisë apo mbi historinë e mbretit francez Charles VIII, janë ndalur dhe tek figura e këtij personazhi të quajtur shpesh: Constantin Arniti. Siç ka shkruar dhe historiani francez Commynes, i cili e ka njohur nga afër, Konstantini kishte lindur në 1456 në Durrës dhe ishte biri i Gjergj Aranitit, një feudali shqiptar të njohur në luftrat kundër otomanëve. Një nga vëllezërit e tij, Vladan Araniti, ishte martuar me një nga motrat e Skënderbeut, ndërsa vetë Skënderbeu ishte martuar me motrën e tij Donika Araniti. ”Nëna e Konstantin Aranitit ishte Petrina Francone nga Pulja, vajza e madhe e baronit të Taurisano-s, Oliviero Francone, një lietnant aragonez nga Leçe. Gjergj Araniti, shkruan diplomati francez, vdiq në Durrës dhe la tri djem, të cilët më 1464 u njohën si “patricë venecianë”. Madje Konstantini hyri në shërbimin pontifikal (tek Papa) dhe arriti një funksion si ” rotonoter apostolik“. Në fund të viti 1486 Kontantini shkoi në shërbim të mbesës së tij, Maria e Serbisë, e lindur me mbiemrin Brankoviç dhe që ishte gruaja e markezit Boniface të Montferrat të Italisë. Por si trashëgim nga të parët e tij, ai kishte dhe titullin “comte de Macedoine dhe duk i Acaia (Greqisë së veriut)”.
Më 1495, Commynes, është i dërguari i mbretit të Francës në Venecie. Shënimet e këtij ambasadori dhe historiani janë tepër interesante, si për atmosferën dhe gjëndjen e Shqipërisë në atë kohë, ashtu dhe për Aranitin dhe luftën e stratiotëve. Në fakt, mbreti Charles VIII rridhte nga familja e anzhuinëve (më 1272, Charles I d’Anjou ishte mbret i Napolit dhe i Shqipërisë) dhe pas kurorëzimit si mbret i Francës, ai duhej të shkonte dhe në Napoli të merrte kurorën si mbret edhe i mbretërisë së Napolit. Në Casale, në veri të Italisë, më 7-10 tetor 1494, ai u takua me prijësin shqiptar Konstantin Araniti dhe mbesën e tij, Maria e Serbisë. Me Aranitin, ai bisedoi për fillimin e një beteje në front të gjerë kundër turqve. Madje siç shkruajnë kronikanët, mbreti kishte parë në ëndërr një flamur kryqëzate, çka nënkuptonte për të se duhej të shpëtonte varrin e Krishtit në Jeruzalem. Në Casale, Araniti e shtyu mbretin francez të ndërmerrte një kryqëzatë të vërtetë kundër otomanëve dhe për këtë i premtoi kontributin e dhjetra mijra stratiotëve dhe këmbësorëve të tjerë që prisnin në brigjet e Adriatikut, në tokat shqiptare. Sigurisht, qëllimi i Aranitit ishte çlirimi i Shqipërisë dhe rikthimi në trojet e veta. Siç na informon Commynes, në një manifest të 22 nëntorit të vitit 1494, i cili u shtyp dhe u shpërnda në Firence, Charles VIII për herë të parë bëri të njohur projektin e tij për të zbarkuar në Vlorë, në bregun shqiptar. Plani i tij ishte shumë ambicioz : të thyejë turqit dhe të vendosë perandorinë bizantine. Dhe në këtë projekt ai kishte dhe mbështetjen e Vatikanit. Meqë vetë do të shkonte në Napoli për kurorëzimin, ai vendosi të dërgonte në Vlorë 6 mijë ushtarë me në krye Antoine de Ville, sire de Domjulien. Më 27 janar 1495, u nënshkrua traktati i aleancës midis Charles VIII dhe Papës, ndërkohë që Commynes fshihte në ambasadën e tij në Venecie Konstantin Aranitin, i cili ishte me mision sekret : përgatitjen e revoltës me ndihmën e Francës.
Nga Venecia, siç na informon historiani francez Joël Blanchard, i cili i referohet Commynes shkruahet se: “Mijra kristianë janë gati të revoltohen. Nga Otranto në Vlorë janë veçse 60 milje dhe nga Vlora në Kostantinopojë janë 18 ditë udhë me këmbë, në një rrugë ku ka veçse 2-3 kështjella, pasi të tjerat janë rrënuar. Gjithë këto vënde me shqiptarë, sllavë dhe grekë i merrnin lajmet e mbretit nga miqtë e tyre që ishin në Venecie apo në Pulje dhe që prisnin veçse “mesinë” që të ngriheshin në këmbë. Arqipeshkvi i Durrësit është shqiptar. Ai më ka folur për një numër të jashtëzakonshëm shqiptarësh, të gatshëm që të bashkohen në luftë dhe që janë bijtë e nipat e shumë senjorëve si të Skënderbeut, një bir i Konstantinopojës, apo nipa të senjor Konstantinit, që sot qeveris në Montferrat. Midis jeniçerëve më shumë se 5 mijë prej tyre i kanë lënë rradhët turke. Shkodra e Kruja janë marrë në sajë të punës së Konstantinit, i cili gjatë shumë ditëve u fsheh në Venecie tek unë.
Maqedonia dhe Thesalia janë në pjesë të trashëgimisë së tij …”
Por ç’ndodhte në Venecie, në kohën kur pas ikjes së Konstantinit, atje kishte shkuar është arqipeshkvi i Durrësit Martino Firmiano, i cili kishte zbarkuar i ngarkuar me armë për të përgatitur revoltën? Commynes është në kontakt të ngushtë me të dhe me refugjatët e ishujve të Moresë, duke i ndihmuar që të vënë në veprim planin e tyre. Ishte gjithnjë ideja e nisjes së një kryqëzate të re, kësaj rradhe kundër Turqisë. Por siç do ta mësojmë nga Commynes, Venediku luante një politikë të dyfishtë. Kur Venediku e mori vesh se përgatitej kjo kryengritje dhe se shqiptarët do të bashkoheshin me francezët e Charles VIII, e penguan këtë luftë nga frika se mos ndëshkimi i turqve binte dhe mbi ta. Ata kishin nevojë dhe interesa të mëdha që ta kishin mirë me sulltan Bajazitin dhe ti kishin të hapura dyert e tregëtisë. Venecianët e zbuluan misionin e arqipeshkvit Martino në Venecie, të cilin e burgosën në një kështjellë pasi i gjetën gjithë planet e kryengritjes, si dhe një letër të mbretit Charles VIII. Megjithatë, Martino arriti të arratisej. Në fakt, për venecianët situata ishte bërë e komplikuar. Xhem, vëllai i sulltanit, i cili mbahej rob pranë Vatikanit, vdiq papritur. Ndërkohë ai ishte bërë aleat i perëndimorëve dhe i Vatikanit kundër vëllait të tij në Stamboll, me shpresë që një ditë të sulmonte dhe ta përmbyste nga froni. Por me vdekjen e tij, turqit tashmë e kishin rrugën e lirë për tu hedhur në sulm kundër italianëve dhe francezëve. Venecianët ndërkohë ishin njoftuar për përgatitjet e turqve të cilët po armatoseshin në More, duke fortifikuar Negroponten (Eubea, Greqi) e cila kishte rënë në duart e tyre vite më parë”. Por ata po përgatiteshin edhe në Vlorë, në Gallipoloi, e gjetkë. Ndërkohë Konstantini ka shkuar në Milano dhe ka kërkuar të bindë fisnikët Sforza që të angazhohen edhe ata në këtë betejë të madhe. Por Sforzat milanezë nuk pranojnë, madje fshehurazi ata i kërkojnë venecianëve që ta ndalojnë Aranitin në përpjekjet e tij. Në Durrës, luftëtarët e Martino Firmianos mblidhnin armë, ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, Konstantini u kërkonte dalmatëve të Raguzës që tu shisnin disa “lombarda”, anije lufte, për të mundur kështu të pushtonin kështjellat që ishin ende në duart e turqve.
Një ngjarje për të cilën do të shkruhet shumë në kronikat e kohës është ajo e betejës së Fornou-së në Itali, në kohën kur mbreti Charles VIII po ngjitej drejt Italisë së veriut për të arritur në jugun francez dhe pastaj për të vazhduar udhëtimin drejt Parisit. Në ushtrinë e tij ai kishte jo vetëm ushtarë francezë dhe zviceranë por dhe stratiotët shqiptarë. Mbreti ndiqte avangardën e tij bashkë me shpurën me bagazhet e shumta, me pasuri e florinj të marra në Napoli, ku kishte vënë kurorën. Por milanezët dhe venecianët, në aleancë mes tyre, donin ti prisnin udhën dhe ta thyenin ushtrinë franceze, megjithë përpjekjet e Aranitit që ata të bëheshin aleatë të Francës. Trupat italiane të prijësit të Mantou-së, Gonzague, me flamur të bardhë me katrorë, si dhe ato të venecianëve me luanin me aureole të Shën Markut, të bashkuar dhe me trupat e Ludovico Sforzas, ndiqnin lëvizjen e ushtrisë, e cila komandohej nga mareshalli francez Gié. Por markezi i Mantou-së ashtu si dhe francezët, kishte në shërbim dhe 1500 stratiotë, të cilët me kuajt e tyre e ndiqnin ushtrinë e Charles VIII nga majat e kodrave. Më së fundi në pllajën e Pô-së, më 30 qershor 1495, markezi i vendosi stratiotët e tij në fshatin Giorola, nga ku kalonte rruga e Parmës. Më 1 korrik, kalorësit stratiotë u sulën mbi francezët. I entusiazmuar nga fillimet e betejës, Gonzague, e lajmëroi menjëherë Venedikun për fitoren, por fitorja nuk ishte ende në duart e tyre. Mareshalli Gié arriti ti shërndajë stratiotët, por para tij, në luginën e Taro-s kishte 30 mijë trupa armike. Kur ushtria kapërceu lumi, mbreti Charles VIII për t’ju dhënë zëmër mbajti një fjalim patetik para ushtrisë. Pastaj ai dha udhër të marshonin. Ushtarët bënë shenjën e kryqit dhe zviceranët aleatë puthnin tokën. Më 5 korrik, kur ushtria franceze sulmohet, stratiotët pikasën vargun e karrove me bagazhet e mbretit dhe e lanë luftën, duke ju sulur bagazheve. Ndërkohë francezët ishin në thyerje e sipër, por vetëm kurajo e mbretit e nxorri ushtrinë në dritë. Ata ishin 10 mijë francezë kundër një ushtrie 3 herë më të madhe në numur. Kur panë mbretin e vetmuar të sulej në fushë të betejës, atëhere të gjithë francezët u sulën pas tij. Dhe meqë stratiotët po merreshin me bagazhet e prapavijës, ushtarët e Gonzague-s dhe venecianët më së fundi u thyen.
Pikërisht në këtë periudhë Maria e Serbisë, vejusha e Boniface de Montferrat, vdes duke lënë dy fëmijë të vegjël. Mbreti francez Charles VIII dërgoi menjëherë në Casale besnikun e tij Commynes për të ndihmuar Aranitin që të merrte në drejtim Montferratin, që mos t’ja linin atë në dorë fisnikëve të Milanos. Në këtë mënyrë, fëmijët do të rriteshin nën kujdesin e Aranitit. Pas vdekjes së Charles VIII, Araniti e vazhdoi miqësinë dhe aleancën e tij me francezët. Ai u bashkua me mbretin Louis XII apo Luigjin e Orleanit, siç e quanin atëherë, në luftën kundër milanezëve. Në librin e F.Lot Recherches sur les effectifs des armés française des guerres d’Italie aux guerres de religion, shkruhet se – “Kur Louis XII hyri në Milano, Konstantini ishte në rradhët e para pranë tij”. Nga ky burim historik, mësojmë gjithashtu se Araniti komandonte në atë kohë reparte artilierësh dhe “balestrierësh”. Mbreti e shpërbleu me urdhërin e Saint-Michel dhe në letra që i dërgonte, i drejtohej gjithnjë me fjalët “Mon cousin” (“Kushëriri im”), që atëherë u rezervohej vetëm princave sovranë. Edhe biri i Konstantinit më vonë do ti shërbente mbretit Charles Quint, ku do të shquhej në veçanti në fushatën e Algjerit (1541) dhe në betejën e ashpër të Smalkadës më 1546, në Gjermani. Gati 30 vjet më vonë do të zhvillohej beteja e famshme e Coutra-s në Francë, e cila ishte në fakt një luftë civile dhe fetare midis katolikëve dhe protestanëve francezë.
Stratiotët që u shuan nën flamurin e katoliçizmit
Stratiotët shqiptarë kalonin ndërkohë nga një betejë në tjetrën. E tillë ishte dhe beteja e Cambrai-t në veri të Francës, ku Alexandre Farnese, në shërbim të njërit prej bijve të mbretëreshës Catherine de Medicis, kishte një ushtri prej 8 mijë këmbësorësh. Kronistët shkruajnë se në prag të betejës ai priste 1500 stratiotë, “kavalerinë më të mirë që mund të kishte Krishtërimi” (“le mieux cavalerie que soit en Chrétienté”). Stratiotët ishin tashmë pjesë e kavalerisë franceze, por një pjesë e tyre ishin dhe në trupat e markezëve dhe dukëve të republikave italiane. Te gjitha oborret mbretërore kërkonin ti kishin nën shërbimin e tyre këta luftëtarë të ashpër, trima, besnikë dhe të sprovuar në qindra beteja. Por lufta e Coutra-s do të ishte njëkohësisht dhe epilogu i lavdisë, fundi i tyre tragjik. Për të mbrojtur katoliçizmin francez, në tetor të vitit 1587 ata u nisën drejt Coutras, nën flamurin e mbretit katolik Henri III. Ndërsa ushtria protestane komandohej po nga francezi dhe pretendent i fronit, Henri de Navarre, ai që pas fitores së Coutras, do të bëhej mbreti Henri i IV.
Beteja e Coutras në krahinën e Gironde-s, ishte një betejë masive dhe mijra stratiotë shqiptarë komandoheshin nga duka De Joyeuse dhe ndihmësi i tij De Lavardin që kishte nën komandë 300 stratiotë, veç stratiotëve të tjerë që ndiqnin De Joyeuse. Në këtë luftë do të vriteshin pothuaj gjithë stratiotët, bashkë me komandantin e tyre De Joyeuse. Ata të paktë stratiotë që mbetën nga kjo masakër e madhe u shpërndanë nëpër Francë. Që nga ajo kohë, kronikanët nuk flasin më për “Cavalerie Albanoise”, edhe pse stratiotët do ti gjejmë sërrish në gardat mbretërore dhe trupat speciale, por ata tashmë ishin të pakët në numur gjersa më së fundi do të shuheshin në mjegullat e kohës. Nuk është çudi që dhe rruga “Passage des Albanais” që gjendet në Orleans, si dhe toponime të tjera që lidhen me shqiptarët, të jenë të lidhura pikërisht me stratiotët e famshëm, të cilët u shuan në flamurin e fesë katolike, nën flamurin e Francës.
*Temë e përdorur dhe më parë nga autori në periodikë të vendit