Në raportin e OSBE / ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit, struktura e ngritur nga Partia Demokratike për mbrojtjen e votës, u komentua si “metoda potencialisht të paligjshme”.
I pyetur për të komentuar këtë vlerësim, kreu i PD, Lulzim Basha tha: “E paligjshme është të shkelësh kodin zgjedhor, sidomos ndryshimet që u bënë në kod. Mbrojtja e votës është detyrë e çdo qytetari. Pa diskutim që ky është një aspekt të cilin PD do të zhvillojë, përmirësojë dhe shtrijë kudo, si një detyrë të lartë patriotike dhe ligjore. Të shikosh një krim zgjedhor dhe të mos bësh minimumin për ta denoncuar atë është vepër penale. Paligjshmëria qëndron në njërën anë dhe PD është në krah të ligjit dhe të së vërtetës”.
Basha tha se në vijim të betejës politike, opozita do të kërkojë bashkëpunim me “të gjitha forcat e gjalla në Shqipëri”, siç i quajti ai anëtarët e grupeve të interesit nga sipërmarrja, elita e mendjes, studentët, fermerët, mësuesit dhe sektori i shëndetësisë. “Sigurisht edhe aleancë me gazetarinë me integritet. Ajo që na pret është betejë që do të zhvillohet në të gjithë frontet dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne do të bëhemi zëri i të gjithë atyre që ndodhen të papërfaqësuar”, tha Basha.
“Shqipëria nuk do të kthehet me fytyrë nga lindja, nuk do të kolapsojë për shkak të dëshirës apo projeksioneve të një pakice, nuk e kam fjalën për PS, por një grup shumë të vogël, që nuk përfaqëson as PS, me në krye, kryetarin aktual”.