Studentët e Mjekësisë protestuan paraditen e së enjtes përballë Parlamentit, kundër vendimit të qeverisë që ndalon studentët e Mjekësisë që të largohen nga vendi për 5 vite, të punojnë fillimisht në Shqipëri e më pas të marrin diplomën.
“Masa më drastike që ne mendojmë të marrim është bojkotimi i vitit të ardhshëm akademik. Me këtë protestë po tregojmë qëndrimin tonë ndaj një propozimi që del papritur si projektligj. Është absurde të detyrosh mjekët të rrinë kur nuk ke pagat për të mbajtur këta mjekë. Unë jam nga ato që dua të rri në Shqipëri, por na detyrojnë të ikim me mënyrat e tyre”, thotë një nga përfaqësueset e protestës studentore.
Kryeministri Edi Rama tha dje se “çdo student që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të njihet me faktin që për t’u pajisur me diplomë do të duhen 5 vjet në shërbim të këtij populli”.
Sipas tij, ky vendim është i domosdoshëm në kushtet kur vende të pasura janë bërë ndalesa e fundit për shumë profesionistë të kualifikuar.