Studentët serbë Borivoje Llaziç dhe Nevena Zhivançeviç të cilët studiojnë gjuhën shqipe në Beograd thonë se shqipen e kanë dëgjuar fillimisht nga këngët.
Në një intervistë për Euronews Albania ata treguan se kontakti i parë me shqipen kishin qenë këngët, që siç treguan dëgjohen shumë në Serbi.
“Mësova shqip përmes këngëve, në një çast mendova pse mos ta studioj në universitet se desha të njoh më mirë Shqipërinë, dhe s’doja të besoja gjërat që kam dëgjuar. Njerëzit në Serbi po e dëgjojnë më shumë muzikën shqiptarë. Në klubet e natës në Beograd, dëgjohen këngëtarë shqiptarë si Dhurata Dora, Elvana, Noizy”, tha Nevena.
Borivoje Llaziç thotë se nuk është paragjykuar që ka zgjedhur të studiojë gjuhën e në kombi me të cilën shteti i tij është në konflikt.
Borivoje tregoi se kishte dëgjuar shqip përpara fakultetit dhe i tingëllonte shumë mirë.
“Kur mbarova shkollën e mesme desha të studioja diçka që nuk është shumë popullore në Beograd. Mendoj se është koha të jetojmë dhe flasim së bashku edhe shqip edhe serbisht”, tregoi studenti.
Ai tregoi se shpesh e kanë pyetur pse po studion gjuhën shqipe, kur vendi i tij është në konflikt me Kosovën, por shtoi se pikërisht për shkak të kësaj ka vendosur ta mësojë më shumë gjuhën shqipe.
Ndërsa Nevena Zhivançeviç, tha se lidhja e saj me gjuhën shqipe është shumë e madhe.
Ajo tregoi se pas 3 vitesh studimi tani ndihet më e sigurt kur flet shqip dhe shfrytëzon çdo rast kur është në Tiranë apo Prishtinë për të folur shqip.
“Tani nuk kam frikë të flas, kur kam mundësi të flas e bëj me plot dëshirë, kur jam në Prishtinë, Tiranë, apo edhe Beograd flas me njerëz që dinë shqip”, tha ajo.
Nevena zbuloi lidhjen e fortë me Tiranën, ku siç tha ka njerëz që i konsideroj familjen e saj.
“Në Tiranë kam njerëz që i quaj familje. Kam humbur prindërit e mi para shumë vitesh. Këta njerëz më thanë që Zoti po vonon por nuk harron. Kështu që vërtetë nuk harron, se tani kam ata”, rrëfeu studentja
Në Kosovë është zhvilluar edicioni i 40 i seminarit ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Ky seminar ka nisur në 15 gusht e do të zgjasë deri më datë 26. Të pranishëm në këtë seminar kanë qenë dhe studentë nga Serbia.