Studentët vijojnë të jenë të ngujuar prej mëngjesit të së enjtes (10 janar 2019) në Fakultetet e Juridikut dhe Ekonomikut në Tiranë.
Studentët debatuan me përfaqësues të policisë, duke u kërkuar llogari për dhunën e ushtruar dhe duke u kërkuar të largohen jashtë.
Studentja: Femrat janë dhunuar vërtet. Tu vijë trup se keni fëmijë dhe vetë. Dhe ju që jeni këtu keni studentë nëpër shkolla. Si mund të tregohen të fortë policët, ne kërkojmë ndihmën tuaj, të na mbështesni, jo të na ktheni shpinën dhe të përdorni dhunën ndaj bijve dhe bijave tuaja. Shumë turp për ju! Policia të përdorë dhunë ndaj një 19, 20 apo 23-vjeçari. Këtu tregoni që jeni të fortë ju? Turp tu vijë.
Pas këtij debati, shefi i patrullës së zbarkuar atje u pa të bënte një telefonatë dhe pas saj policët u tërhoqën jashtë oborrit të Ekonomikut.
Largimi u shoqërua me duartrokitje dhe ovacione nga studentët.