Përhapja e imunitetit specifik ndaj COVID-19 në popullatën e qytetit të Tiranës në 3 muajt e parë të epidemisë ka qenë relativisht e kufizuar. Ndërsa në qytetin e Tiranës brenda muajit qershor 2020, ka pasur një rritje më të shpejtë të përhapjes së infeksionit në komunitet, të vlerësuar në 6-7%. Por studiuesit vlerësojnë se kjo është ende shumë larg imunitetit kolektiv të ashtuquajtur të tufës.
Këto ditë, specialistët akademik Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Ylli përfunduan studimin seroepidemiologjik të gjendjes imunitare ndaj virusit shkaktar të COVID-19 në popullatën e qytetit të Tiranës.
Sipas studimit të publikuar nga Akademia e Shkencave, vërehet se nga rezultatet e testimeve, nga situata serioze e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri në periudhën qershor-korrik, si dhe gjendjes në spitale për trajtimin e tyre, komisioni i mjekësisë dhe grupi i pandemisë tërheqin vëmendjen dhe rekomandojnë se situata e pandemisë është serioze dhe agresiviteti i virusit COVID-19 nuk është zbutur.
Ata bëjnë të ditur se veprimi dhe përhapja e tij nuk bëjnë dallime të mëdha, midis vendeve të pasura e të varfra, të perëndimit a të lindjes. “Në fillim u duk se midis vendeve të Ballkanit, do të kalonte me efekte të ndryshme nga vendet e Evropës. Por kjo nuk po provohet me rëndimin aktual të situatës në Ballkan. Prandaj në kushtet e lehtësimit të lockdown-it, si dhe të lëvizjeve të konsiderueshme të popullatës në stinën e pushimeve verore, për të frenuar qarkullimin e virusit, autorët rekomandojnë se duhet të ndërpritet lehtësimi i mëtejshëm i masave që kufizojnë grumbullimet e personave dhe të dekurajohen veprimtaritë që nxisin grumbullime masive të njerëzve”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.
Po ashtu rekomandohet që shërbimet e restoranteve dhe bareve në mjedise të mbyllura, aktivitetet shkollore në mjedise të mbyllura, aktivitete artistike dhe sportive me spektatorë në salla të mbyllura, duhet të vijojnë të mbeten të ndaluara.
Rekomandohet të merren masa të rrepta për të siguruar mbajtjen e detyruar të maskave sidomos në mjedise të mbyllura publike, si dhe të shihet mundësia t’u sigurohen falas atyre që nuk kanë mundësi për t’i blerë ato.
Të përshkallëzohen aktivitetet inspektuese lidhur me respektimin e protokolleve të funksionimit të shërbimeve të tregtisë, transportit dhe industrisë, si dhe të vijohet me forma të ndryshme të ndërgjegjësimit të publikut lidhur me përshtatjen e sjelljeve vetjake për të ulur riskun nga infektimi.
Rekomandim tjetër i ekspertëve është një fokus më i madh ndaj grupeve të veçanta të popullatës që shprehin rezistencë ndaj informacionit, inkurajimi kudo ku është e mundur i punës nga shtëpia, intensifikimi i aktiviteteve të testimit dhe izolimit të personave të infektuar në komunitet. si dhe të vijohet me inkurajimin e monitorimit serologjik në grupe të ndryshme të popullatës.