Punësimi dhe arsimimi te personat me aftësi të kufizuar vijon të jetë problem në vendin tonë. Sipas një studimi të realizuar nga World Vision dhe përfaqësues të shoqërisë civile rezultatet janë alarmante. Mbi 85 % e PAK dhe familjarëve të tyre kanë shprehur pakënaqësi për nivelin e punësimit, ndërkohë që 52.3% e tyre kanë shprehur pakënaqësi edhe sa i përket arsimimit të fëmijëve, si dhe përfitimit nga shërbimet sociale që janë ngritur në zonën e tyre.
Sipas World Vision përmes angazhimit të Shoqërisë Civile në monitorimin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, qindra persona me aftësi të kufizuara, familjarë të tyre dhe përfaqësues të organizatave të personave me aftësi të kufizuara janë informuar mbi qëllimet e këtij plani, kanë dhënë mendimin e tyre mbi zbatimin e tij dhe si rrjedhojë kanë hartuar plane veprimi dhe zhvilluar aktivitete për të përmirësuar jetesën për personat me aftësi të kufizuara në zonën e tyre. Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile shprehen se projekti ka ndërtuar një model për monitorimin e zbatimit të Planit të Veprimit që duhet të vazhdojë të përdoret nga institucionet publike, të cilët në bashkëpunim me to të arrijnë përmbushjen e objektivave të tij.
“Fusha e Aftësisë së Kufizuar është shumë e gjerë, dhe nevojat e problematikat janë të panumërta. Por ne jemi besimplotë se duke ndërmarrë hapa konkretë, duke qenë realist, duke koordinuar ndërhyrjet e të gjithë aktorëve, dhe duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në këtë proces do mund të gjejmë zgjidhje që kanë ndikim afatgjatë në jetën e tyre. Të dhënat e 2 monitorimeve të realizuara për herë të parë nga Shoqëria Civile mund të jenë një pikënisje për prioritizimin e fushave kryesore gjatë hartimit dhe zbatimit të planit të ardhshëm të veprimit për periudhën 2021-2025,”- tha ndër të tjera në fjalën e saj, Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision Albania.
Raporti i hartuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri”, zbatuar nga Ëorld Vision Albania në partneritet me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FShDPAK) dhe Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK), thekson se duhet të ndërhyhet në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet shërbimeve të aksesueshme dhe të përballueshme financiarisht.