Akademia e Shkencave e Shqipërisë prezantoi këtë të mërkurë një studim në lidhje me imunizimin e qytetarëve nga koronavirusi.
Studimi i përket periudhës nga qershori deri në muajin dhjetor.
Rezultatet u paraqitën nga akademiku Genc Sulçebe dhe prof. Alban Ylli, të cilët deklaruan se popullsia e Tiranës ka fituar 50% imunitet, ndërkohë që në pjesën tjetër të Shqipërisë imuniteti është 25%.
Imuniteti tregohet referuar antitrupave të krijuara nga qytetarët, shumica asimptomatikë.
Mjeku imunolog, Genc Sulçebe bëri të ditur se studimi është ndarë në tre faza, ku në fund të mbylljes në ishim në nivel thuajse zero të antitrupave në qytet, ndërsa situata ndryshoi në fund të qershorit.
“U përzgjodhën popullata që mbulojnë disa qendra shëndetësore. Këto qendra mbulojnë një popullsi rreth 258 mijë banorë. Rezultati i kampionimit të kësaj popullate që u bë në 264 individë të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme, ishte që pozitiviteti i përgjigjes imunitar, i gjurmimit të antitrupave në këtë popullatë, ishte 6,4 përqind. Kjo ishte në fund të qershorit të këtij viti”.
Më interesante është faza e tretë e mbyllur në fund të vitit, ku ka rezultuar se gati 50 përqind e qytetarëve kanë krijuar antitrupa.
“Në fund të këtij viti, ne aplikuam fazën e tjetër të studimit seroepidemiologjik, i cili u realizua po në ato qendra shëndetësore. Kampionimi këtë herë ishte në 817 individë, të cilët përfaqësojnë statistikisht popullatën kampion të këtyre lagjeve që mbulojnë 258 mijë banorë. Në 812 individë të testuar dolën pozitivë me antitrupa 405 individë, 49,6%”, tregoi Sulçebe.