Në Tiranë, Qendra për Kërkime Ekonomike mati përsëri sivjet perceptimin e korrupsionit nga opinioni publik. Sipas studimit, 44,8 për qind e qytetarëve të anketuar pranuan se kanë patur presion dhe u është kërkuar rryshfet nga ana e zyrtarëve publikë për zgjidhjen e një problemi. Po ashtu, shkalla dhe renditja e institucioneve më të korruptuara ka mbetur e njëjtë me matjen e mëparshme të perceptimit publik ndaj korrupsionit.
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike sapo ka përfunduar një studim mbi perceptimin publik të korrupsionit, ku zbulohen disa gjetje shqetësuese mbi përhapjen dhe sofistikimin e tij.
Sipas studimit, publiku sheh si grupet më pak të korruptuar mësuesit, gazetarët, mjekët, ndërsa treguesit dhe renditja e korrupsionit për zyrtarët ka mbetur thuajse i pandryshuar nga viti 2016, dhe ka vetëm një përmirësim të lehtë në këtë pikë.
“Grupet e perceptuara si më të korruptuara nga publiku vazhdojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, nëpunësit e doganave dhe tatimeve, nëpunësit e administratës së drejtësisë, partitë politike dhe drejtuesit e tyre. Mbeten edhe këtë radhë e njëjta renditje; pra nuk ka një rikthim të besimit të publikut ndaj këtyre institucioneve, edhe pse reforma e shpallur me bujë pritet të japë frytet, po ndoshta është në fillimet e veta” – tha Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe një nga autorët e studimit.
Studimi zbuloi se afro gjysma e qytetarëve të anketuar u shprehën që administrata i ka bërë presion për rryshfet në këmbim të shërbimeve publike.
Po ashtu gjysma e të anketuarve pohuan se kanë dhënë rryshfet për të marrë shërbime publike, pra rezistenca ndaj presionit për korruptim është minimale.
Afro gjysma e qytetarëve të anketuar pohuan që ishin gati të bënin të njëjtat presione korruptive, nëse do të këmbenin vendet me zyrtarin publik.
Vetëm 4 % deklarojnë se nuk do të përfshiheshin kurrë në një aferë korruptive, por mbi 20% e të anketuarve kanë ende shpresë në çrrënjosjen e korrupsionit.
“Janë më shumë se sa 1/5, ose 22% e të intervistuarve që deklarojnë me besim se korrupsioni do të mund të çrrënjoset. Ky është një tregues në krahasim me matjet e mëparshme dhe që jep shpresë se zbatimi i reformës në drejtësi, siç u mbështet fuqishëm nga SHBA dhe BE, është një mundësi e mirë që kjo dukuri të ndëshkohet” – tha zoti Preçi.
Studimi vëren gjithashtu se korrupsioni i vogël me dhurata nën dorë ia ka lënë vendin korrupsionit të lartë e të sofistikuar nëpër labirintin e kontratave të pakuptueshme dhe marrëveshjeve të fshehta.
Zoti Preçi i Qendrës për Kërkime Ekonomike thotë se shumica e njerëzve po i mbajnë të gjitha shpresat se korrupsionin më në fund do ta godasin SPAK dhe BKH.
“Mbetet për t’u parë vënia në funksionim e prokurorisë speciale si dhe të gjykatës së posaçme, që të kalohet nga fushatave e fjalëve në fushatën e veprave. Kjo është diçka që nuk mund t’i kërkohet llogari vetëm qeverisë. Qeveria demonstron vullnetin politik, por mbetet për t’u parë se në ç’masë ato institucione do të përmbushin funksionet e veta. Fillimi i funksionimit të këtyre institucioneve shënon fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë, por shënon në të njëjtën kohë edhe fillimin e ndarjes së pushteteve, për të cilën vendi ynë vuan shumë, sidomos gjatë dekadës së fundit” – tha zoti Preçi.
Studimi mbi perceptimin e korrupsionit nga opinioni publik është matja e pestë që nga viti 2001 në 3 elemente kryesore: presionit të administratës ndaj qytetarëve për korrupsion, realizimi i korrupsionit gjatë marrjes së shërbimeve publike dhe mbi shkallën e besimit, që ka publiku nëse korrupsioni mund të çrrënjoset./VOA