Sipas një studimi të ri, europianët po përdorin kokainë dhe MDMA më shumë se kurrë.
Të dhënat e reja të publikuara nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë (EMCDA) flasin për një rritje në përdorimin e substancës MDMA, përbërësi aktiv i pilulave ekstazi, në gjithë Europën dhe veçanërisht në 3 qytete të Holandës: Amsterdam, Utreht dhe Eindhoven.
Shkencëtarët kanë analizuar ujërat e zeza të 49 milionë banorëve në Europë.
Nga 42 qytetet e analizuara është zbuluar se ka pasur një rritje të substancës MDMA në ujërat e zeza të 23 qyteteve, duke sugjeruar se ajo që mendohej si një “drogë e subkulturës së diskotekave e festave, ishte tashmë duke u përdorur edhe më gjerësisht”, shpjegon EMCDA.
Nga 45 qytetet e analizuara për përdorimin e kokainës, është zbuluar se në 27 prej tyre ka pasur rritje; në Belgjikë, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti me përdorimin më të lartë të kokainës është Anversa me 1,275.7 miligram për 1 mijë persona në ditë, e cila u zbulua përmes testimit të ujërave të zeza në vitin 2019.
Katër prej dhjetë qyteteve në listën e 10 qyteteve me përdorimin më të lartë, ndodheshin në Zvicër, Shën Gallen Hofen, Zyrihu, Bazeli dhe Gjeneva, ndërsa Londra ishte në vend të dhjetë.
Metanfetamina në formë kristali, e njohur si kristal meth
Studimi ka analizuar edhe përdorimin e amfetaminave dhe metamfetaminave, të njohura ndryshe si kristal meth. Përqendrimin më i lartë i kësaj të fundit ishte në Suedi, kryesisht në Stokholm, ndërsa përdorimi i metamfetaminave ishte më i përhapur në Republikën Çeke dhe në Gjermani.
Joao Matias, analist shkencor nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë thotë për Euronews se pyetja prej një milion dollarësh është se cila është arsyeja pse disa vende kanë një përdorim më të lartë të një droge specifike ndryshe nga vendet e tjera.
“Po shohim se po konfiskohen shumë kontejnerë me kokainë në Anvers sepse aty gjendet dhe një port i madh, kështu që kjo drogë gjendet lehtësisht. Në përgjithësi kemi vënë re një rritje të përdorimit të kokainës në Belgjikë”, tha ai.
Ai tregon se tendenca ka qenë që në Europën jugore mbizotëronte përdorimi i kokainës ndërsa në Europën veriore ishte më i rëndomtë përdorimi amfetaminave.
Në raport shpjegon edhe disa dukuri të tjera, si për shembull, në vitin 2018 u vërejt një rritje e përdorimit të MDMA, por veçanërisht të hënave e të martave. Më vonë, disa përdorues të kësaj substance rrëfejnë se kjo ishte pasi ata flaknin në tualet atë çka iu kishte mbetur nga fundjava./EuroNews