Mbajtja e një maceje mund të zvogëlojë rrezikun e një ataku në zemër me gati një të tretën, sipas studiuesve në Institutin Stroke të Universitetit të Minesotës, në Mineapolis.
Zbulimi ishte rezultati i një studimi 10-vjeçar i kryer te më shumë se 4 000 amerikanë – të moshës 30 deri në 75 vjeç.
Gjithashtu, 435 nga pjesëmarrësit ishin pronarë aktualë ose ish-pronarë macesh, ndërsa 2 000 të tjerë nuk kishin pasur kurrë një mace.
Studiuesit zbuluan se gjatë një periudhe 10-vjeçare, pronarët e maceve treguan 30% më pak rrezik vdekjeje nga ataku në zemër – në krahasim me ata që nuk kishin mace.
“Për vite me radhë ne e dimë se stresi psikologjik dhe ankthi janë të lidhura me ngjarjet kardiovaskulare, veçanërisht ataket në zemër”, tha drejtori ekzekutiv i Institutit, Dr. Adnan Qureshi, i cili është gjithashtu autori kryesor i studimit.
“Të paturit kafshë shtëpiake ndoshta ka ndihmuar në lehtësimin e stresit”, shtoi ai.
Hulumtimet e mëparshme e kanë lidhur kontaktin me kafshët shtëpiake – me përfitimet për një funksionim më të mirë të zemrës.
Ekspertët veterinar parashtruan një argument tjetër të besueshëm se pse macet mund të sjellin më shumë lehtësim të stresit.
“Macet janë kafshë që ulen në prehër – dhe që duan të përkëdhelen – dhe përkëdhelja ul nivelet e stresit dhe rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut gjithashtu, në shumë raste”, tha Zëvendëspresidenti teknik dhe patologu veterinar në Laboratorët ARUP në Salt Lake City, Utah, Lawrence McGill.