Bregdeti me ngjyrën e thellë blu është një tërheqje e parezistueshme për shumë turistë në kërkim të një vendi ideal për pushimet verore. Pastërtia e ujërave është nga elementët kryesorë që udhëtarët kërkojnë nga destinacionet mahnitëse bregdetare.
Për këtë arsye “CV Villas”, një nga agjensitë më të mëdha turistike, me qendër në Londër dhe me filiale në shumicën e vendeve më të zhvilluara turistike në botë, ka kryer një studim. Nga ky studim, që ka analizuar më shumë se 200 imazhe të plazheve nga e gjithë bota, ka rezultuar se Plazhi i Pasqyrave në Sarandë, ka ujin me ngjyrën më të theksuar blu.
Për të arritur në këtë renditje ekipi i studimor mori parasysh 200 nga plazhet më të njohura në mbarë botën duke përdorur imazhet satelitore. Studiuesit pasi evidentuan kodin RGB të ngjyrave që kishte çdo plazh, e krahasuan atë me kodin e nuancës më blu në botë, YInMn Blue (lexohet JINMIN BLU). Në përfundim të gjithë këtij procesi u krijua edhe renditja me 30 plazhet me ngjyrën më të theksuar blu.
Rezultoi se 26 prej tyre ndodheshin në Evropë, me Greqinë që dominon me shtatë plazhe në listë, por që nuk ka vendin e parë.
Kryesimi i përket Shqipërisë. Plazhi i Pasqyrave në Sarandë, mori medaljen e artë, pasi nuanca e tij blu ndryshon nga nuanca YInMn Blue (JINMIN BLU) me vetëm 12.4 pikë.
Vendi i dytë dhe i tretë i takuan dy plazheve greke. Duke shënuar vetëm 13.6 pikë larg nga nuanca më e theksuar, Paralia Buka në Peloponez u emërua plazhi që shfaq blunë e dytë më të kaltër në botë, ndërsa Kassiopi i Korfuzit doli i treti me një diferencë pak më të lartë prej 14.1 pikë nga e njëjta nuancë.
Franca, Portugalia dhe Turqia gjithashtu hynë në top 10, ndërsa Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Cannon Beach në Oregon, duke u renditur në vendin e 15-të. Destinacione të tjera jo-evropiane të paraqitura në listë përfshijnë Matira Beach në Bora Bora dhe Playa El Doradillo në Argjentinë.
Plazhi i Pasqyrave që ndodhet në bregdetin midis Sarandës dhe Ksamilit prej kohësh është një nga më të preferuarit për pushuesit shqiptarë. Në vitet e fundit, kjo perlë e bregdetit shqiptar është zbuluar edhe nga turistët e huaj. Por tanimë nuk ka “sekrete”, e gjithë bota e di se ku ndodhet destinacioni më mahnitës.
Plazhet me ngjyrën më blu në botë:
1- Pasqyra Beach (Mirror Beach), Shqipëri
2- Paralia Mpouka (Long Beach), Greqi
3- Kassiopi, Greece
4- Plage de la Vernette, Francë
5- Kaputas Beach, Turqi
6- Voulisma Beach, Greqi
7- Foki Beach, Greqi
8- Praia do Carvalho, Portugali
9- Omprogialos, Greqi
10- Los Lances Beach, Spanjë