Njerëzit që jetojnë në zonat e ndotura kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë depresion dhe të vrasin veten. Shkencëtarët kanë rishikuar studimet për 16 vende të ndryshme, për të parë ndikimin e grimcave toksike të ajrit në shëndetin mendor të njerëzve.
Ata zbuluan se ndërsa niveli i ndotjes rritet, gjithashtu rritet edhe shkalla e numrit të vetëvrasjeve dhe diagnozave të depresionit. Mendohet se ndotja nga makinat dhe industria shkaktojnë inflamacion në tru kur depërtojnë në rrjedhën e gjakut pasi të thithen, ose ndikojnë në nivelet e hormoneve të stresit.
Shkencëtarët në Kolegjin Universitar të Londrës, analizuan të dhënat nga nëntë studime mbi ndikimin e ndotjes në shëndetin mendor tek të rriturit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që ndotja të mbahet nën nivelet “10ug / m3”(njësia matëse e ndotjes së ajrit), por më shumë se 90 për qind e vendeve në botë e tejkalojnë këtë nivel.
Studiuesit vlerësojnë se ulja e niveleve mesatare të ndotjes së ajrit në kufirin e OBSH-së mund të zvogëlojë rrezikun e depresionit tek banorët.
Autori kryesor i studimit, Isobel Braithwaite tha se tashmë ne e dimë se ndotja e ajrit është e keqe për shëndetin e njerëzve, me rreziqe të shumta shëndetësore fizike, duke filluar nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive e deri tek demencia, një grup sëmundjesh mendore.
“Ne po tregojmë se ndotja e ajrit mund të jetë duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm edhe për shëndetin tonë mendor, duke e bërë edhe më alarmant faktin se cilësia e ajrit që po thithim është tepër e keqe për të gjitha gjallesat”, shpjegon ai.
Studiuesit shpresojnë të ndjekin studimin e tyre me hulumtime të mëtejshme në lidhje me ndotjen e ajrit dhe sëmundjet që shkakton.
Lisa Page i komitetit të qëndrueshmërisë në Kolegjin Mbretëror të Psikiatërve, tha se ky studim i ri bazohet në provat që tregojnë një lidhje midis ndotjes së ajrit dhe sëmundjeve mendore.
Më shumë se 80 për qind e popullsisë urbane në botë po thith ajër të ndotur. I përshkruar si vrasësi i padukshëm, ndotja e ajrit shkakton shtatë milion vdekje të parakohshme në vit, sipas OBSH.