Nuk ka asnjë provë, që përhapja globale e Facebook-ut, është e lidhur me dëmtime psikologjike, thotë një studim i Institutit të Internetit të Oksfordit (Oxford Internet Institute, OII).
Hulumtimi shqyrtoi se si ka ndryshuar mirëqenia në 72 vende, me rritjen e përdorimit të platformës së mediave sociale.
Ai kundërshton besimin e përbashkët, se mediat sociale janë të dëmshme psikologjikisht, argumentojnë studiuesit.
Disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe, po shqyrtojnë legjislacionin për të mbrojtur përdoruesit e mediave sociale, nga dëmtimet nga interneti.
Meta, e cila zotëron Facebook-un, është përballur me hetime, pas dëshmive të shtypit bazuar në rrjedhjet e të dhënave, që sugjerojnë se studimi i vetë kompanisë, tregon për ndikime negative te disa përdorues.
Ky studim ka parë vetëm Facebook-un dhe jo platformat e tjera të Meta-s, ku përfshihet Instagram-i.
Profesor Andrew Przybylski, i OII, tha se studimi u përpoq t’i përgjigjej pyetjes: “Ndërsa vendet bëhen më të ngopura me mediat sociale, si duket mirëqenia e popullatave të tyre?”
Ai tha: “Zakonisht mendohet se kjo është një gjë e keqe për mirëqenien. Dhe të dhënat që kemi mbledhur, së bashku dhe të dhënat që kemi analizuar, nuk treguan se ishte kështu.”
Puna e mëparshme e OII, e kryer nga profesor Przybylski, gjithashtu gjeti pak lidhje midis përdorimit të teknologjisë nga adoleshentët dhe problemeve të shëndetit mendor.
Por, raporti shikonte vetëm ndikimin e përgjithshëm të përdorimit të Facebook në nivel kombëtar. Gjetjet e gjera, nuk do të mund të zbulonin ndikimin e përdorimit të Facebook, te grupet e njerëzve me dobësi të veçanta.
Për shembull, ndikimet negative në grupe të vogla përdoruesish, mund të mos merren parasysh, nëse ato kompensohen nga ndikimet pozitive te të tjerët, pranoi Prof. Przybylski.
Gjithashtu, studimi nuk u përpoq të shqyrtonte rreziqet e paraqitura, nga disa lloje të përmbajtjes, të tilla si materialet që promovojnë dëmtimin e vetes.
Për prof. Przybylski, mësimi kryesor nga studimi ishte se studiuesit, kishin nevojë për më shumë të dhëna nga kompanitë teknologjike, për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me efektin e mediave sociale:
Kemi një situatë ku një grup njerëzish, po flasin për ndikimet negative nga mediat sociale. Por, ne në fakt nuk i kemi të dhënat, nuk kemi materialet që na nevojiten.” tha ai.
Projektligji i Sigurisë në internet i Mbretërisë së Bashkuar (Online Safety Bill, OSB), është në fazat e fundit të rrugëtimit parlamentar, drejt shndërrimit në ligj. Është krijuar për të mbrojtur njerëzit nga dëmtimet në internet.
Por Prof. Sonia Livingstone, e Shkollës Ekonomike të Londrës, paralajmëroi se rëndësia e studimit me OSB ishte e kufizuar.
“Kritika e gjerë e autorëve – që ankthet e kohës para ekranit nuk mbështeten shumë nga prova të forta – është e drejtë. Megjithatë, studimi i raportuar këtu, është aq i përgjithshëm, saqë ka pak përdorim për debatet aktuale rregullatore ose klinike,” tha ajo.
Dhe ndërsa OSB ka përparësi mbrojtjen e fëmijëve – studimi nuk i shikon të rinjtë si një grup më vete dhe “fëmijët në përgjithësi, nuk po përdorin Facebook”.
Por, ajo mbështeti thirrjen e autorëve për më shumë kërkime, bazuar në aksesin në të dhëna.
Studimi i rishikuar nga Prof. Przybylski dhe bashkautori Matti Vuorre, bazohet në një sasi të madhe të dhënash të ofruara nga Facebook. Të dy studiuesit janë të pavarur nga kompania dhe kërkimi nuk u financua nga gjiganti i teknologjisë.
Facebook u dha studiuesve të dhëna, që tregojnë se si u rrit numri i përdoruesve në secilin vend, midis 2008 dhe 2019, të ndarë në dy grupmosha, 13-34 dhe mbi 35 vjeç.
Ekipi i OII krahasoi këto të dhëna me disa për mirëqenien, që përfaqësojnë gati një milion njerëz, të regjistruara nga Anketa Botërore e Gallup.
Në përgjithësi, studiuesit thonë, se nuk gjetën prova që rritja e përdorimit të mediave sociale, ishte e lidhur me ndikim negativ në mirëqenien psikologjike.
Prof. Peter Etchells, profesor i psikologjisë dhe komunikimit shkencor në Universitetin Bath Spa, tha se studimi gjithëpërfshirës, ishte magjepsës.
Por, ai tha – siç e bëjnë të qartë autorët – nuk thoshte asgjë për shkakun dhe pasojën. Megjithatë, ai tregoi vlerën e kompanive të teknologjisë, që hapën dyert e tyre për studiuesit, vuri në dukje ai.
Meta, e cila zotëron Facebook, tha se shpresonte që “studimi i parë i këtij lloji”, duke përdorur të dhëna të brendshme nga një firmë e mediave sociale, të çojë në biseda produktive me politikëbërësit, prindërit dhe akademikët.
“Ne mund t’i mbështesim ata, që luftojnë me mirëqenien e tyre, vetëm kur e kuptojmë tablonë e plotë”, tha ai. / BBC