Sport Studio televizive shpërthen në të qeshura: Timothy Weah vendos në siklet Thierry...

Studio televizive shpërthen në të qeshura: Timothy Weah vendos në siklet Thierry Henry (VIDEO)

Juventus kthehet nga Birmingami me një barazim pa gola ndaj Aston Villa, një rezultat i mirë – duke pasur parasysh se skuadra e Thiago Mottës është e masakruar nga dëmtimet – por që megjithatë e largon edhe më shumë mundësinë e kualifikimit direkt në 1/8 e finaleve të Champions League: bardhezinjtë, sipas projeksioneve, kanë vetëm 9% shanse për ta arritur.

Timothy Weah, të mërkurën në mbrëmje, luajti gjatë gjithë ndeshjes si numër 9 jashtë rolit të tij natyral, me një paraqitje pa shumë spikatje, (dhe një karton të verdhë në fund), por që ishte në përputhje me kërkesat taktike të trajnerit të tij Thiago Motta.

Pas ndeshjes, Weah u bë protagonist i një momenti argëtues në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive me Thierry Henry, duke e vënë atë në siklet kur i tha që ai ishte idhulli i tij, pasi francezi i kishte pohuar se babai i Timothy ishte idhulli i tij. Fjalët e Weah bënë që studioja e CBS të shpërthente në të qeshura.

Henry lavdëron George Weah në praninë e djalit të tij Timothy

George Weah është një legjendë e futbollit botëror. Ish-sulmuesi i Milanit – dhe ish-presidenti i Liberisë – është ende sot i vetmi lojtar afrikan që ka fituar “Topin e Artë” dhe çmimin “FIFA World Player of the Year” në vitin 1995. Kur Timothy doli në lidhje nga Villa Park pas ndeshjes, Henry kishte vetëm fjalë të bukura për babanë e tij: “Përshëndete nga ana ime, sepse e admiroj për atë që ka bërë për futbollin, veçanërisht për pozicionin e numrit nëntë,” tha 47-vjeçari ‘Titì’.

“Mund t’u thosha trajnerëve të mi se nuk kisha nevojë të qëndroja në zonë për të shënuar, sepse babai yt e merrte topin nga çdo vend dhe ishte në gjendje të shënonte nga çdo vend – vazhdoi Henry -. Ai ishte justifikimi im për t’u thënë trajnerëve të mi se mund të shënoja nga jashtë zone. Babai yt ishte një njeri i veçantë, ndaj përshëndete nga ana ime”.

Batuta gjeniale e Timothy Weah vë në siklet Henry

Fjalët e Henry u pritën me një përgjigje të shpejtë dhe gjeniale nga Timothy Weah: “Ai ishte idhulli yt, ndërsa ti ishe idhulli im,” tha lojtari i Juventus, duke lënë Henry të shtangur dhe në siklet të qartë, ndërsa në studio analistët Jamie Carragher dhe Micah Richards shpërthyen në të qeshura dhe filluan ta ngacmonin francezin për komplimentin e marrë. “Mund të ketë një atak,” tha ish-mbrojtësi i Fiorentinës.

Timothy Weah tregoi jo vetëm zgjuarsi në fushë, por edhe aftësi për të shkëlqyer para mikrofonit. Për Thiago Motta, ai mbetet një pjesë e rëndësishme e Juventusit të tij.