Politika Studiuesi shpjegon “të fshehtat”: Pse Shqipëria duhet të zbatojë sistemin danez

Studiuesi shpjegon “të fshehtat”: Pse Shqipëria duhet të zbatojë sistemin danez

Danezi Jorgen Erlklit, studiues politik i specializuar në sistemet elektorale dhe administrim, në një interviste për ‘Ilva Now’, ka folur lidhur me mundësinë e implementimit të sistemit zgjedhor që përdoret në vendin e tij në rastin e Shqipërisë.

Z. Erklit thotë se bëhet fjalë për një sistem ku përqindja e votave kthehet në të njëjtën përqindje dhe të vendeve në Parlament. “Nëse fiton 10 % të votave, fiton 10 % të vendeve në Parlament”, thotë ai.

Sipas politologut, Danimarka dhe Shqipëria kanë sistem të ngjashëm rajonal, por me ndryshimin se në vendin e tij zbatohet dhe varianti “vendet plotësuese”.

“Në rast se një parti nuk arrin të fitojë më shumë se minimum i votave që duhet për t’u përfaqësuar në Parlament, për shkak të votave që ata kanë marrë në zgjedhje. Ekzistojnë disa vende plotësuese që mund të përdoren që të gjitha partitë të arrijnë të përfaqësohen. Proporcionaliteti këtu është në përputhje me numrin e votave që ata meritojnë”, tha z. Erlklit.

Ai thekson se sistemi ka që prej vitit 1920 që zbatohet në Danimarkë dhe ka pasur vetëm një diskutim lidhur me pragun. Studiuesi thotë se në 100 vite nuk ka pasur asnjëherë shumicë dërrmuese. Duke treguar “sekretet” e sistemit danez, z. Erklit tregon se nuk ka koalicione parazgjedhore ndërsa në procesin mund të marrin pjesë dhe individë jashtë partive.

Ilva Tare: Z. Erklit shumë faleminderit që pranuat të flisni për Euronews Albania.

Jorgen Erklit: Kënaqësia ime.

Iva Tare: Siç edhe mund ta keni dëgjuar kohëve të fundit sistemi elektoral danez është sugjeruar që të implementohet në Shqipëri. Disa e konsiderojnë atë si një sistem tejet kompleks, edhe vetë në Danimarkë. A mund të na shpjegonit se çfarë sistemi përdoret në vendin tuaj?

Jorgen Erklit: Po, kur ju thoni se është një sistem kompleks unë do të thoja se varet se deri në çfarë faze keni arritur ta studioni atë. Sepse në fakt është një sistem tejet i thjeshtë. Ai siguron përfaqësim proporcional për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, në proporcion me votat. Nëse fiton 10% të votave, fiton 10% të vendeve në Parlament, kështu që e parë në këtë mënyrë është një sistem tejet i thjeshtë. Votuesit votojnë për partinë që ata pëlqejnë dhe kjo është e gjitha. Disa situata në prapaskenë mund të jenë më të komplikuara por nuk mendoj se është koha për ta diskutuar këtë në televizion. Gjëja kryesore është se është tejet proporcional dhe funksionon shumë mirë. Një element thelbësor është se edhe ne kemi sistem të ngjashëm rajonal me Shqipërinë por ne kemi të ashtuquajturat “vendet Plotësuese”. Kështu që në rast se një parti nuk arrin të fitojë më shumë se minimum i votave që duhet për t’u përfaqësuar në Parlament, për shkak të votave që ata kanë marrë në zgjedhje. Ekzistojnë disa vende plotësuese që mund të përdoren që të gjitha partitë të arrijnë të përfaqësohen. Proporcionaliteti këtu është në përputhje me numrin e votave që ata meritojnë.

Ilva Tare: A mendoni se ky është elementi që e bën sistemin të jetë më përfaqësues, duke marrë në konsideratë edhe mënyrën sesi votuesit danez zgjedhin?

Jorgen Erklit: Po, sepse ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se nëse votojmë për një parti, shanset që kjo parti të arrijë të përfaqësohet në Parlament është në proporcion me numrin e votave që ajo merr. Ne e dimë që do të ndodhë në atë mënyrë. Dhe deri tani njerëzit janë tejet të lumtur me sistemin elektoral që kemi dhe nuk asnjë diskutim në lidhje me drejtësinë e këtij sistemi. Unë mendoj se një gjë e tillë është tejet e rëndësishme. Të gjitha partitë politike në vend e kanë pranuar sistemin. Është zbatuar në vend prej 100 vitesh, i propozuar fillimisht në 1920 dhe tani jemi në 2020, dhe i vetmi diskutim i vogël që është bërë në lidhje me të është për pragun elektoral. Sepse edhe ne kemi një prag elektoral si në Shqipëri, vetëm se tek ne është 2 %. Deri tani votuesit janë të lumtur, partitë janë të lumtura dhe nuk diskutohen të ndërmerret asnjë ndryshim sa i përket sistemit elektoral. Në fakt është pak e çuditshme ta shpjegoj këtë jashtë, sepse ne jemi të lumtur me të këtu. Nuk do të them se duhet ta përdorni me patjetër, por që ka element  në të që mund të jenë tejet të përdorshëm, gjë që shpjegon faktin se përse njerëzit janë shumë të kënaqur me të.

Ilva Tare: Çfarë lloj qeverie drejton Danimarkën tani, koalicion mes partive? Çfarë kërkon ky sistem nga partitë politike, të ecin dhe të punojnë bashkë?

Jorgen Erklit: Po, sepse nuk ka pasur një parti që ka arritur të fitojë shumicën e votave, përgjatë këtyre 100 viteve. Nuk ka pasur asnjëherë maxhorancë me shumicë absolute, sepse ka shumë parti, për momentin 10 parti janë të përfaqësuara në Parlament. Ajo çfarë ne kemi tani, është një qeveri social-demokrate, e cila posedon pak më pak se 30 % e votave në Parlament, ata punojnë së bashku në një koalicion të gjerë me disa nga partitë e tjera. Por dua të theksoj se qeveri të tilla funksionojnë shumë mirë dhe nuk mendoj se kemi nevojë për koalicion mazhoritar. Mendoj se Danimarkë është e veçantë në këtë mënyrë, ne kemi një sistem që funksionon mirë me qeveri të minorancës dhe jo me koalicione.

Ilva Tare: A do të thonit gjithashtu që ky sistem ndihmon partitë e vogla?

Jorgen Erklit: Patjetër që po, madje shumë. E di që në Shqipëri një parti për t’u përfaqësuar në Parlament duhet  të konkurrojë në të gjitha rajonet dhe kjo gjë nuk është e nevojshme në Danimarkë. Mund të kandidosh vetën në një rajon, në të cilin ke mbështetjen e elektoratit aty. Ne madje lejojmë edhe personat të konkurrojnë individualisht, të marrin pjesë në zgjedhje por ndodh rrallëherë të përzgjidhen. Pra është një sistem mjaft i hapur dhe gjithëpërfshirës, për të gjitha partitë. Por ka edhe një ndryshim tjetër në raport me Shqipërinë, ne nuk lejojmë që koalicionet të konkurrojnë së bashku, vetëm pas zgjedhjeve partitë mund të formojnë koalicione dhe qeverinë nëse ata duan. Por ata nuk e kanë të domosdoshme të krijojnë koalicione sepse mund të përfaqësohen vetëm dhe mendoj se ky është një ndryshim tejet thelbësor.

Ilva Tare: A është e mundur që një qeveri minorance të funksionojë në një situatë politike tejet të polarizuar? Nuk e di nëse jeni në dijeni, të situatës politike në Shqipëri, e cila zakonisht është e polarizuar në një nivel tejet të lartë. A mendoni se një qeveri minorance mund të funksionojë në një ambient të tillë?

Jorgen Erklit: Po nëse të gjitha partitë bien dakord se është zgjedhur në një mënyrë tejet të drejtë. Dhe nëse mund të zgjedhin të krijojnë koalicione, ndonjëherë edhe dy partitë kryesore do të duhet të punojnë së bashku, të formojnë maxhorancën dhe të miratojnë ndryshimet ligjore. Dhe kjo gjë në mendimin tim do të ishte jashtëzakonisht pozitive, që edhe partitë kryesore të punojnë së bashku sepse ashtu duhet. Dhe siç e dini vendet me sisteme proporcionale si Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka  ke një klimë politike të qëndrueshme dhe kanë sisteme  të drejta. Pra ka diçka e cila duhet ti shtyjë vendet drejt sistemit proporcional, të cilat mund të ndikojnë në krijimin e qeverive minorance, mund të ndihmojnë në krijimin e një klime politike më të qëndrueshme.

Ilva Tare: A keni lexuar për sistemin elektoral aktual në Shqipëri? Cilat mendoni se janë avantazhet dhe disavantazhet e tij?

Jorgen Erklit: Mendoj se problem kryesor është se institucionet zgjedhore janë të politizuar, mënyra sesi krijohen komisionet zgjedhore në nivele të ndryshme. Personat që janë të zgjedhur në komisionet zgjedhore janë të zgjedhur nga partitë politike, dhe kjo i bën të anshëm. Dhe nëse do të ketë problem e komplikon situatën. Në Danimarkë, administrata zgjedhore është apolitike dhe ne besojnë çdo gjë që ata thonë. Ne nuk e vëmë në dyshim, cilësinë e zgjedhjeve. Danimarka është vlerësuar si një nga vendet me administratën më solide dhe të kualifikuar në botë. Shumë studime e tregojnë një gjë të tillë,  kjo gjë vjen nga fakti se ata janë komplet neutral. Mendoj se partitë nuk duhen lejuar të përcaktojnë anëtarët në komisionet zgjedhore, sepse mesa jam në dijeni ka ndikuar në disa nga situatat e diskutueshme në Shqipëri.

Ilva Tare: Mund të na tregoni për avantazhet e listës së hapur? Përse është e rëndësishme për votuesit që të kenë listë të hapur nga partitë politike?

Jorgen Erklit: Një listë e hapur, siç e dini, nënkupton që votuesit mund të votojnë për një person në listë dhe ata e dinë se nëse preferojnë për shembull kandidatin me nr. 10 në listë, dhe nëse një numër i mjaftueshëm personash e votojnë atë, ai do të zgjidhet në Parlament. Pra, votuesit ndiejnë që janë të përfaqësuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë, sepse ata kanë votuar për personin dhe ndiejnë që kanë një përfaqësues të caktuar nga vetë ata në Parlament dhe prandaj, bëhet më e rëndësishme për votuesit ajo që ai person bën në Parlament dhe ata ndihen më të përfshirë në jetën politike, sepse e dinë që personi që votuan është përfaqësuesi i tyre në Parlament. Pra, ka shumë avantazhe që votuesit të zgjedhin kush shkon në Parlament, dhe jo vetëm udhëheqësit politikë.

Ilva Tare: A krijon ky sistem me lista të hapura garë midis anëtarëve të një partie politike? Le të themi mes liderit dhe fraksioneve të mundshme?

Jorgen Erklit: Po. Kjo ndodh.

Ilva Tare: Si e zgjidhni ju këtë në Danimarkë?

Jorgen Erklit: Zgjidhet automatikisht sepse në fund të fushatës zgjedhore, partitë do ta dinë sa kandidatë u zgjodhën bazuar në numrin e votave që kanë marrë, ndaj lideri i partisë do të duhet të punojë me njerëzit që vijnë në Parlament. Po përpiqem të kujtoj nëse ka patur probleme në Danimarkë, por jo, sepse të zgjedhurit janë përfaqësues të popullit, jo vetëm të liderëve partiakë. Prandaj, ata detyrohen të punojnë bashkë dhe kjo në fakt, zbut konfliktet brenda partive, nëse ka të tilla. Por gjithashtu e bën të rëndësishme për liderët politikë që të përpilojnë një listë e cila është tërheqëse për votuesit.

Ilva Tare: Profesor, ekziston një sistem i përkryer zgjedhor?

Jorgen Erklit: Jo, nuk mendoj kështu. Por ka disa sisteme që janë më të mira se të tjerat. Dhe mendoj se sistemi danez është i mirë. Ai është vlerësuar nga shumë njerëz, jo vetëm nga Danimarka, por nga e gjithë bota, sepse përmbush disa kritere, është shumë proporcional dhe është i pranuar nga votuesit dhe partitë. I jep partive të vogla shansin për t’u zgjedhur dhe për të kontribuuar në mënyrën e tyre në punën e Parlamentit. Dhe administrohet nga një trupë neutrale dhe për këtë arsye nuk ka diskutim për drejtësinë dhe korrektësinë e rezultateve. Mendoj se është një nga sistemet më të mira që mund të mendoni dhe ja vlen të merren në konsideratë disa nga detajet e tij, nëse disa prej tyre mund të jenë të dobishme për Shqipërinë ose vende të tjera.

Ilva Tare: Çfarë e bën korrekt, funksional dhe të mirë përfaqësuar një sistem zgjedhor për demokracinë e një vendi?

Jorgen Erklit: Që votuesit të ndiejnë se është një sistem i drejtë. Ashtu siç nisa të thoja, nëse një parti merr 10% të votave, duhet të marrë gjithashtu 10% të ulëseve. E njëjta do të vlejë për partitë e mëdha, por edhe për partitë e vogla. Nëse për shembull, një parti e vogël merr 3% të votave kombëtare, duhet të marrë edhe 3% të ulëseve në Parlament. Dhe nëse votuesit e dinë këtë, ata ndiejnë se përfaqësohen opinione të ndryshme në vend dhe puna e Parlamentit do të jetë më e pranueshme për votuesit. Ky është një element i rëndësishëm. Proporcionaliteti, përfshirja dhe pranueshmëria nga votuesit.

Ilva Tare: Ka gjithashtu debate në Shqipëri për metodën D’Hondt, që është shumë e ndërlikuar. Mendoni se ky është rasti?

Jorgen Erklit: Nuk mendoj se është e ndërlikuar. Është e drejtpërdrejtë. Është edhe ai që quhet sistemi “Sant Lagú”, që është disi më proporcional. Problemi me sistemin D’Hondt do të thoja unë, është se favorizon partitë e mëdha. I jep pak më shumë partive të mëdha se ç’duhet të kenë, për shpërndarje krejtësisht proporcionale të ulëseve. Dhe ky është problemi. Ka sisteme të tjera që janë më shumë proporcionale dhe të drejta ndaj partive, dhe që mund të merren në konsideratë në vend të sistemit D’Hondt.