Një tjetër aditiv pritet të hyjë në listën e përbërësve të rrezikshëm që gjenden në produktet industriale. Fjala është për aspartamin, një ëmbëlsues që përdoret në masë në produkte si Diet Coke, akulloret dhe çamçakëzat.
Studiuesit e OBSH-së e kanë lidhur këtë ëmbëlsues me rrezikun e kancerit.
Sipas Reuters, raporti mbi këtë lidhje pritet të publikohet muajin e ardhshëm. Aspartami pritet të etiketohet si “ndoshta kancerogjen për njerëzit”, çka do të thotë se ka prova që e lidhin atë me kancerin, por ato janë të kufizuara.
Studimi është kryer nga ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimet mbi Kancerin (IARC), një degë e OBSH-së, e cila është kritikuar shpesh se ka ngritur alarmin për substanca ose situata të vështira për t’u shmangur nga konsumatorët.
Më parë, e njëjta agjenci futi në listën e elementëve dhe sjelljeve të rrezikshme mishin e kuq, punën gjatë orëve të natës dhe përdorimin e telefonave celularë.
Se cila është sasia e sigurt e konsumimit të aspartamit, pritet të mësohet nga Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të FAO/OBSH për aditivët e ushqimit (Jecfa), në të njëjtën ditë me konkluzionet e IARC.
Aspartami është përdorur gjerësisht që nga vitet 1980 si ëmbëlsues tavoline dhe në produkte të tilla si pijet e gazuara dietike, çamçakëzët, drithërat e mëngjesit dhe shurupi për kollën.
Prodhuesit kryesorë të ushqimeve dhe pijeve e kanë mbrojtur për dekada me radhë përdorimin e tij, ndaj ekzistenca e këtij raporti ka shkaktuar shqetësim.
“IARC nuk është organ i sigurisë ushqimore”, thotë për The Guardian Frances Hunt-Wood, sekretare e përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Ëmbëlsuesve. “Aspartami është një nga përbërësit më të hulumtuar në histori. Mbi 90 agjenci të sigurisë ushqimore në të gjithë globin që deklarojnë se është i sigurt, duke përfshirë Autoritetin Evropian të Sigurisë Ushqimore, i cili kreu vlerësimin më të plotë të sigurisë së aspartamit deri më sot”.
Pavarësisht kësaj, ka prova ekzistuese që ngrenë pyetje në lidhje me ndikimin e mundshëm të aspartamit në rrezikun e kancerit. Një studim në Francë që përfshin rreth 100 000 të rritur vitin e kaluar sugjeroi se ata që konsumonin sasi më të mëdha të ëmbëlsuesve artificialë, përfshirë aspartamin, kishin rrezik më të lartë për kancer. Një studim nga Instituti Ramazzini në Itali në fillim të viteve 2000 raportoi se disa kancere te minjtë dhe minjtë ishin të lidhura me aspartamin.