Sport Suarez zbulon problemin e Messit në Francë: Leo vuan në klimë të...

Suarez zbulon problemin e Messit në Francë: Leo vuan në klimë të ftohtë

Nuk po shkon dhe aq mirë aventura e Lionel Messit me PSG-në dhe arsyeja mund të jetë klima e ftohtë. E ka thënë këtë së fundi miku i tij, Luis Suarez, ish-sulmuesi i Barcelonës, tani tek Atletiko Madrid.

Gjatë një interviste për “TNT Sports”, “Il Pistolero” ka treguar se bisedon thuajse çdo ditë me Mesin dhe se vështirësitë që ai po has janë të lidhura me diferencën e madhe klimaterike mes të kaluarës dhe të tashmes.

“Me Leon flas çdo ditë. Përpiqemi t’i shmangim pritshmëritë, sepse jemi futbollistë dhe e dimë si duhet të sillemi në momente të caktuara, flasim për ndeshjet, për familjet. Më ka thënë se kur është ftohtë, vuan shumë në ndeshje. Natyrisht, edhe në dëborë e ka shumë të vështirë. Duhet të mësohet me të ftohtin në Paris”, – është shprehur Suarez mes të tjerash.

Messi në fakt ka luajtur gjithmonë në vende të ngrohta në karrierën e tij, në Argjentinë dhe në Spanjë, kështu që shumë rrallë është përballur me klimë të ftohtë, në ndeshje të caktuara gjatë Ligës së Kampionëve.