Njeriu që njoftoi se do të digjte Torën dhe Biblën përpara ambasadës izraelite në Stokholm, ka braktisur planin e tij.
Pavarësisht se policia i dha leje për të mbajtur një tubim me tre persona, 32-vjeçari Ahmad A. tha se nuk kishte ndërmend t’i digjte librat dhe në vend të kësaj e hodhi çakmakun në tokë, shkruan DË.
“Kurrë nuk kam dashur të djeg asnjë libër. Unë jam musliman, ne nuk djegim (libra),” citoi televizioni SVT t’i thoshte turmës. Ahmad tha se arsyeja e vërtetë e protestës ishte tërheqja e vëmendjes për dallimin mes lirisë së fjalës dhe fyerjes së grupeve të tjera etnike.
“Kjo është një përgjigje ndaj njerëzve që djegin Kur’anin. Dua të tregoj se liria e shprehjes ka kufizime që duhen marrë parasysh. Dua të tregoj se duhet të respektojmë njëri-tjetrin, jetojmë në të njëjtën shoqëri. Nëse njëri djeg Torën, një tjetër Biblën, e një tjetër Kur’anin, këtu do të ketë luftë. Ajo që doja të tregoja është se nuk është e drejtë të bëhet kjo”, shtoi suedezi me origjinë siriane.
Djegia e planifikuar e Torës dhe Biblës u vendos të ndodhte vetëm disa ditë pasi një person, emigrant me origjinë irakiane, i vuri zjarrin faqeve të Kur’anit, duke shkaktuar reaksion në botën dhe jo vetëm nga muslimanët.
Ligjet e Suedisë për blasfeminë u braktisën në vitet 1970. Njeriu që paraqiti kërkesën për tubimin e djeshëm pranoi se ishte në përgjigje të djegies së Kur’anit jashtë një xhamie në Stokholm muajin e kaluar nga një emigrant i krishterë irakian.