Prej më shumë se një muaji disa nga institucionet dhe godinat më delikate për sigurinë e brendshme të Suedisë po presin vizitat e padëshiruara të disa dronëve.
Dronët e avancuar, disa të nivelit ushtarak, nga fillimi i janarit janë sinjalizuar sipër Parlamentit dhe pallatit mbretëror në Stokholm, por edhe në centralin bërthamor të Forsmark, episod ky që ka detyruar fillimin e investigimeve, jo vetëm nga policia vendase, por edhe nga shërbimet sekrete.
Shqetësimet e tyre vijnë edhe nga momenti i tensionuar në zonë, ku pak ditë më parë, Suedia ka rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake si përgjigje të aktivizmit rus në shtetet e Baltikut dhe në Skandinavi.
Dyshimet për një manovër ruse, spiunazhi ose thjesht presioni psikologjik, shtohen edhe më shumë sot që një shtetas rus u arrestua si autor i fluturimit të një droni në rezidencën e çiftit mbretëror suedez, Pallatin Drottningholm.
Kanë qenë pothuajse 200 fluturimet e dyshimta të dronëve në muajt e fundit, edhe pse deri më tani nuk ishin zbuluar autorët. Por arrestimi i rusit mund të hedhë një hije mbi këto fluturime dhe arsyeja e tyre, teksa Kremlini po merr vëmendjen e gjithë botës për shkak të tensioneve gjithmonë e më në rritje në kufirin me Ukrainën, ku gjenden tashmë më shumë se 100 mijë banorë.