Politika Sugjerimet e Venecias për “Antishpifjen”, Rama: Çdo portal të identifikohet si subjekt...

Sugjerimet e Venecias për “Antishpifjen”, Rama: Çdo portal të identifikohet si subjekt i ligjit

Pas publikimit të draft-opinionit dhe sugjerimeve të Komisionit të Venecias në lidhje me paktën antishpifje, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Me një postim në “Twitter”, shefi i mazhorancës, përgëzon “Venecian” për mendimet e saj, ndërsa thotë se tani është koha që të adresohen në Kuvend sugjerimet për të garantuar me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga shpifja.

Ai shton se çdo portal në vend do duhet të regjistrohet si subjekt i ligjit.

“Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”! Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja, si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit”, shkruan Rama.

Komisioni në mendimin e tij i sugjeroi qeverisë shqiptare që të rishikojë paketën antishpifje, duke thënë se ligji është i pazbatueshëm. Sipas Komisionit, masat ligjore të prezantuara në fillim mbartin efektet frenuese, të cilat sipas saj mund të pengojnë dhe cenojnë fjalën e lirë në Shqipëri.

Më tej, Komisioni i Venecias vëren se ligj i jep Autoritetit të Medias Audiovizive fuqi të mëdha administrative për median “online”, dhe për këtë fakt, kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.