Politika “Suksese në jetë!” Rama mbyll fjalimin dhe largohet. Bardhi: Nuk na tha...

“Suksese në jetë!” Rama mbyll fjalimin dhe largohet. Bardhi: Nuk na tha se ç’ishte kjo dashuri e madhe me shefin e FBI

Pasi mbylli fjalimin e tij që zgjati mbi 45 minuta dhe i uroi opozitës “suksese në jetë”, kryeministri Edi Rama është larguar nga salla e Kuvendit.

Largimi i kreut të qeverisë shkaktoi reagime të shumta nga deputetët e opozitës të cilët kanë kërkuar edhe ndërprerjen e seancës. Pas largimit të Ramës, sallën e lanë më pas edhe disa deputetë demokratë.

“Erdhi, foli 45 minuta, nuk tha asgjë edhe iku”, Bardhi: Nuk na tha se ç’ishte kjo dashuri e madhe e shefit të FBI me Ramën

Deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se në 54 minuta që foli kryeministri Edi Rama nuk dha asnjë përgjigje për vendimin e drejtësisë amerikane dhe nuk bëri asnjë transparencë për 14 takimet me ish-shefin e FBI-së McGonigal. Sipas tij Rama flet si prokuror, por opozitës i thotë të presë drejtësinë.

“Erdhi foli 45 minuta nuk tha asgjë edhe iku, secili nga ju që priste përgjigje e transparencë nga Rama mori një lumë metaforash, sharjesh ndaj opozitës dhe asnjë sqarim mbi këtë vendim të drejtësisë amerikane. Flet si prokuror dhe kur ka akuzë nga ne, thotë prisni të flasë drejtësia amerikane.  Sa kohë është kryeministër fshihet pas imunitetit diplomatik që i jep konventa e Vienës. Do të duhet të ishte larguar nga karrigia e kryeministrit dhe të lejonte drejtësinë të hetonte 14 takimet dhe nuk na tha se ç’ishte kjo dashuri e madhe e shefit të FBI me Edi Ramën? Pse nuk kishte këtë dashuri me kryeministrin e RMV, Malit të Zi apo Kosovës? Çfarë e lidhte këtë me një kryeministër të një vendi si Shqipëria?”.